S’ka të lënduar nga shpërthimi në klubin e natës në Prishtinë
Në orët e para të së hënës, në një klub të natës në Prishtinë është raportuar për një shpërthim.
Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i cili ka thënë se nga informacionet fillestare në këtë rast nuk raportohet për të lënduar.
Ai ka shtuar se policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm”.
“Rreth orës 02:45, është raportuar për një shpërthim në rrugën “Epiri” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme kundrejt situatës. Nga informacionet fillestare, nuk raportohet për të lënduar. Policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm” dhe po vijon punën e saj, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë Borovci. /21Media