​“Skandal milionësh në Ministrinë e Bujqësisë” PDK i kërkon prokurorisë të nis hetimin

Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të hetojë kontratën për impiantin e mbetjeve shtazore. Kjo parti ka ngritur shqetësimin për “skandal milionësh në Ministrinë e Bujqësisë”, duke thënë se ministri Faton Peci ka tejkaluar të gjitha procedurat dhe ligjet.

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Naim Ismajli tha se pa ankand publik është dhënë prona publike me qira një kompanie për 20 vjet.

“Skandali i cili, ta quajmë mega-skandal ka të bëjë me impiantin e trajtimit të mbetjeve shtazore, i cili është një projekt në kuptimin e investimit të Qeverisë së Kosovës, i cili është realizuar në vitin 2019 rreth 10 milionë euro me investime të Bashkimit Evropian dhe me participim të Qeverisë së Kosovës, një projekt i tillë i cili realisht duhet të krenohemi sepse impianti ka vetëm në Veronë të Italisë. Tashmë është i finalizuar në vitin 2019, mirëpo nga viti 2019 deri në vitin 2024, ministria nuk është marrë fare me këtë impiant dhe tek në vitin 2024 neve na shfaqet një kontratë e dyshimtë, kontratë e cila në vete përmban shkeljet të cilat konsumojnë vlerat penale dhe kontratë e cila në vete prodhon thjesht të tjetërsim dhe zhvleftësim të pasurisë publike”, deklaroi ai.

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Naim Ismajli tha se ministri Peci ka shkelur Ligjin për Pronën Publike, pasi parashihet që pronat publike të jepen me qira vetëm përmes ankandit publik dhe atë jo më shumë se për 15 vjet.

“Kontrata është nënshkruar me një kompani e cila është themeluar pesë ditë pas shpalljes publike. Kriteret të cilat janë vendosur në kontratë, gjatë analizës që ja kemi bërë ne kontratës dhe kushtet, ligjet që janë në fuqi të cilat determinojnë formatin se si duhet të fitohet një kontratë e tillë na del që ministri Peci në këtë rast ka tejkaluar të gjitha procedurat dhe ka tejkaluar të gjitha ligjet edhe në shpallje apo njoftim publik, edhe në hartimin e kontratës”, shtoi ai.

Në konferencë për media, ai tha se kompania përfituese është regjistruar vetëm pesë ditë pas shpalljes dhe nuk përmbushë asnjë nga kriteret ligjore.

Ai kërkoi nga Prokuroria e Shtetit që të merret me këtë kontratë, meqë konsideron se ka abuzim me pronën publike.

“Ky skandal në Ministrinë e Bujqësisë dhe lajthitja që i është bërë edhe kryeministrit, i cili me një vendim pas përfundimit të të gjitha procedurave për ta mbuluar këtë dhe duke u referuar në Ligjin për Pylltarinë, i cili në këtë rast e arsyeton, japin kuptim se në këtë kontratë siç edhe në shumë kontrata të tjera po dëmtohet buxheti i Kosovës, po eliminohet transparenca dhe mbi të gjitha po kapen institucionet vetëm për përfitime personale, klanore dhe të afërt me subjektin politik i cili është qeveria në ikje. Këtu ne si PDK, duke pasur parasysh se një temë e tillë ka qenë mediatike edhe e trajtuar edhe mediumet, ne kërkojmë nga Prokuroria e Shtetit që të merret seriozisht me këtë kontratë, sepse ne jemi të bindur dhe ekzistojnë faktet se ka konsumim të veprës penale, keqpërdorim dhe keqmenaxhim dhe për më tepër ka abuzim të pronës publike”, përfundoi Ismajli. /kp

Back to top button