S’miratohet rezoluta e AAK-së për tarifat e energjisë, nesër vazhdon seanca e Kuvendit

Në Kuvendin e Kosovës sot nuk u miratua rezoluta e propozuar nga grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ndër të tjera i kërkonte Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe Qeverisë së Kosovës të mos pranojnë tarifat e propozuara për ngritje të çmimit të energjisë elektrike.
Rezoluta gjithashtu kërkonte që ekzekutivit të sjellë sa më parë në Kuvend projektligjin për paga.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës i rekomandon Zyrës së Rregullatorit të energjisë (ZRRE) dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës të mos i miratojnë, respektivisht të mos i pranojnë tarifat e propozuara për ngritje të çmimit të energjisë. Qeveria e Republikës së Kosovës të nxjerrë sa më parë një masë të përhershme dhe konsistente që i zbutë vështirësitë ekonomike. Duke marrë parasysh rritjen e çmimeve të imputeve bujqësore, Qeveria e Republikës së Kosovës të destinojë mjete shtesë buxhetore për financimin direkt dhe subvencionimin të bujqve. Qeveria e Republikës së Kosovës të sjellë sa më parë në Kuvend projektligjin e pagave për miratim”, tha Pal Lekaj.
Deputeti Lekaj derisa prezantoi rezolutën, kërkoi mbështetje nga të gjithë deputetët.
“Sot ju ftoj të jemi unik dhe të na bashkoj interesi i qytetarëve. Nuk ju bie keq nëse Vetëvendosje e voton këtë rezolutë”, tha Lekaj.
Rezoluta e propozuar nga AAK mori 22 vota për, 49 abstenime dhe asnjë kundër.
Seanca e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë nesër, me ç’rast në rend dite janë marrëveshjet ndërkombëtare.

Back to top button