Sorensen në Kosovë, Bislimi ia paraqet dy kërkesa për trajtim me urgjencë

Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka pritur në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, me çështje diskutimi rrugën drejt zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Zbatimit të Ohrit.

Bislimi ka kërkuar që të trajtohet me urgjencë dhe vëmendjen e merituar çështja e personave të zhdukur me dhunë, në mënyrë që të fillohet edhe me punën e Komisionit të Përbashkët.

Përmes një komunikatë nga Zyra e Kryeministrit thuhet se Bislimi ka kërkuar po ashtu që me urgjencë të trajtohet edhe “problemi i bllokimit të shpërndarjes së mjeteve për fermerët në Luginën e Preshevës, që është bllokuar nga Serbia dhe e cila refuzoi edhe në takimin e fundit në Bruksel të muajit të kaluar, që ta trajtojë këtë çështje”.

“Ai foli edhe rreth dëmeve që Serbia po ia shkakton Kosovës vit pas viti me bllokimin e linjave të interkoneksionit, i cili po e rrit koston e transmisionit për energjinë jo vetëm në Kosovë, por edhe për rajonin”, thuhet në komunikatë.

Bislimi ka përmendur edhe rëndësinë e heqjes së plotë të masave të BE-së ndaj Kosovës.

Back to top button