Sot dita ndërkombëtare e OKB-së
OKB është Organizata Ndërkombëtare më e madhe dhe më e rëndësishme sot në botë, veprimtaria e të cilës daton që nga viti 1945. Qëllimi kryesor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet kombeve, zhvillimi ekonomik dhe ruajtja e sigurisë dhe e paqes në botë. Ajo është vazhduese e Lidhjes së Kombeve, por me një strukturë, organizim dhe anëtarësi shumë më të gjerë dhe më të plotë.
Iniciatorët te krijimit të saj ishin bërë fuqitë e mëdha të koalicionit antifashist, SHBA dhe Britania e Madhe, të cilat në pikën e 11 të Kartës së Atlantikut të nënshkruar në 14 gusht 1941 dhe që përmbante principet bazë mbi rendin e ri botëror të ardhshëm, kishin rënë dakord që pas luftës të krijohej “..një sistem i vazhdueshëm i sigurisë së përgjithshme”.
Në Deklaratën e 1 janarit 1942, e nënshkruar nga përfaqësuesit e 26 shteteve të koalicionit anti-fashist dhe anti-nazist ishte ritheksur nevoja për vendosjen e një paqeje të qëndrueshme që do t’u siguronte kombeve mundësinë për të jetuar të sigurt brenda kufijve të tyre.
Ideja e krijimit të një organizate të re universale dhe emërtimi “Kombet e Bashkuara”, ishte rimarrë në shqyrtim në Konferencën e Ministrave të Punëve të Jashtme të SHBA, ish-Bashkimit Sovjetik dhe Britanisë së Madhe, që ishte zhvilluar në Moskë nga 19 deri 30 tetor të vitit 1943. Në Deklaratën mbi Sigurinë e Përgjithshme që ishte nënshkruar më pas edhe nga Kina, ishte formuluar për herë të parë vendimi mbi krijimin e Organizatës Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara.
Ndërsa parimet, struktura dhe funksionet e organizatës ishin formuluar në Konferencën e Dumbarton Oaks (lokalitet afër Washingtonit), që ishte zhvilluar nga 21 gusht deri me 29 shtator të vitit 1944, në të cilën kishin marrë pjesë përfaqësuesit e SHBA-së, ish-Bashkimit Sovjetik, Britanisë së Madhe dhe Kinës. Konferenca kishte përpunuar dokumentin e quajtur “…propozime për krijimin e organizatës ndërkombëtare të sigurimit të përgjithshëm”.
Në shkurt 1945 ishte mbajtur Konferenca e Jaltës, në Krime, me pjesëmarrjen e Franklin Ruzvelt, Stalin dhe Churcill. Ajo kishte hedhur bazat politike të të gjitha bisedimeve për paqe pas përfundimit të luftës. Në atë konferencë ishte ridiskutuar dhe rënë dakord përfundimisht për krijimin e OKB si një organizatë ku mund të bënin pjesë kombe të mëdha e të vogla.
SHBA kishte thirrur Konferencën e San Franciskos, ku do të merrnin pjesë të gjithë shtetet që i kishin shpallur luftë Gjermanisë naziste deri në mars 1944. Konferenca e San Franciskos i kishte zhvilluar punimet nga 25 prilli 1945 deri me 26 qershor të vitit 1945. Ajo kishte pranuar dështimin e Lidhjes së Kombeve për pengimin e Luftës së Dytë Botërore.
Më 26 qershor të vitit 1945 ishte miratuar Karta e Kombeve të Bashkuara, e cila kishte hyrë në fuqi më 24 tetor të vitit 1945. Kjo datë ishte shpallur si Dita Ndërkombëtare e OKB-së.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?