Sot afati i fundit i dorëzimit të listave në KQZ

KQZ parashikon që brenda datës 5 maj të përmbyllë procesin e regjistrimit të listave shumemërore

Ora 24:00 e ditës së shtunë shënon dhe afatin e fundit ligjor për dorëzimin në KQZ të listave të kandidatëve të subjekteve zgjedhore që do të marrin pjesë në votimet e 18 qershorit.

Kodi Zgjedhor përcakton se partia politike depoziton në KQZ listën shumemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve.

Një javë më parë KQZ rikujtoi subjektet zgjedhore që listat e kandidatëve për deputet dhe dokumentacioni shoqërues duhet të dorëzohen brenda datës 29 prill, që është dhe afati i fundit ligjor.

KQZ parashikon që brenda datës 5 maj të përmbylle procesin e regjistrimit të listave shumemërore, pas verifikimit te dokumentacionit të kandidimit dhe te formularëve të dekriminalizimit.

Listat shumemërore të kandidatëve duhet të përmbajnë disa të dhëna, ku mes tyre për herë të parë, do të dorëzohet dhe lista e plotë e kandidatëve për deputet në formatin elektronik, sipas atij të miratuar nga KQZ, ku do të shtohet si e dhënë edhe mëmësia dhe vendlindja.

Në zbatim të ligjit të dekriminalizimit, kandidatët për deputet duhet të plotësojnë dhe dorëzojnë formularin e dekriminalizimit.

Pjesë e dokumentacionit te kandidimit, duhet të jetë edhe jetëshkrimi (CV) për secilin kandidat, një risi që do t’u japë zgjedhësve mundësi të njihen me kandidatët për deputet, për të cilët do të votojnë në zgjedhjet për Kuvend.

Back to top button