Sot fillon “Sunny Hill”, nata e parë shënohet me performancën e Dua Lipës

Sot fillon një nga festivalet më të mëdha muzikore ”Sunny Hill Festival 2025”.
Nga data 1 deri më 3 gusht, festivali do ta shndërrojë Prishtinën në një qendër rajonale kur bëhet fjalë për festivale dhe performanca të yjeve muzikore botërore.
Nata e parë e festivalit do të shënohet nga performanca e yllit kosovar Dua Lipa, e cila rikthehet në skenë në vendlindjen e saj me një performancë ekskluzive në Sunny Hill Stage.
Së bashku me të, publiku do të ketë mundësi të ndjekë edhe artistët Edis, Tayna, Kida, Cil, Deezy, si dhe shumë emra të tjerë. Programi i natës së parë vazhdon në C4 Stage, ku do të performojnë Fatboy Slim, Skream, Bookie dhe Edgar Kerri.
Më 2 gusht, ylli kryesor i mbrëmjes do të jetë këngëtari me famë botërore Shawn Mendes, i cili do të performojë në skenën kryesore së bashku me Era Istrefi, Ledri, Headie One, Sainte dhe artistë të tjerë. Mbrëmja do të vazhdojë me sete elektronike nga Mochakk, Sugar Rush dhe të tjerë në C4 Stage.
Festivali do të përmbyllet më 3 gusht me performancat e Anyma dhe Peggy Gou, të cilat do të mbyllin këtë edicion me një përjetim të jashtëzakonshëm vizual dhe muzikor nën qiellin e hapur. Në program janë gjithashtu edhe Bess, Edgar Kerri, TSHA, Adrian Berisha, Mygal dhe artistë të tjerë që do ta sjellin energjinë elektronike deri në fund.
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndërmarrë masa në aspektin e sigurisë për mbarëvajtjen e festivalit “Sunny Hill” që do të mbahet më 1,2 dhe 3 gusht në Bërnicë të Prishtinës.
“Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale-Prishtinë, ka ndërmarrë të gjithë hapat e duhur të sigurisë për mbarëvajtjen e festivalit “Sunny Hill” që do të mbahet nga data 01.08.2025 deri më 03.08.2025, në fshatin Bërnicë të komunës së Prishtinës.”./21Media