Sot në 23:59 mbyllet afati për dorëzimin e listave me kandidatët për deputetë

Sot në orën 23:59 do të përfundojë afati i dorëzimit të listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka deklaruar se të gjithë kandidatët do të verifikohen nëse janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.
“Më 7 dhjetor 2025, në orën 23:59, përfundon afati për subjektet politike për dorëzimin e listave me emrat e kandidatëve për deputetë të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, tha Elezi.
Ai shtoi se “në përmbushje të detyrimeve ligjore lidhur me përshtatshmërinë/aftësinë e kandidatëve për t’u certifikuar, KQZ, nëpërmjet Zyrës, do të dorëzojë në disa institucione kërkesat e veçanta së bashku me listën e kandidatëve që duan të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje, me qëllim të verifikimit të tyre nëse janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”.
Kurse aplikimi për certifikim i subjekteve politike që duan të marrin pjesë në zgjedhje; formimi i koalicioneve nga partitë politike; dhe njoftimi për mospjesëmarrje në zgjedhje – janë aktivitetet kryesore, afatet e të cilave kanë përfunduar më 30 nëntor, në orën 23:59.
Kujtojmë, se më 17 dhjetor nis edhe fushata elektorale, për zgjedhjet nacionale në vend të cilat do të mbahen më 28 dhjetor.