“Sot nuk do të ketë kurrfarë pelegrinazhi në asnjë qytet të Kosovës”
MPJ reagon rreth vizitës së pelegrinëve serbë
Derisa në qytetin e Gjakovës po mbahet protestë, që siç janë shprehur protestuesit “kundër ardhjes kriminelëve, të cilët nën petkun e pelegrinëve sot vijnë në Gjakovë”, këshilltari i ministrit të Punëve të Jashtme i Kosovës, Jetlir Zyberaj ka deklaruar se sot nuk do të ketë kurrfarë pelegrinazhi në asnjë qytet të Kosovës. Kjo pasiqë sipas Zyberajt, një një gjë e tillë nuk e ka kërkuar askush nga institucionet e Republikës së Kosovës.
“Shteti ynë çdoherë do t’ua garantojë të drejtën qytetarëve të zakonshëm sa herë që e kërkojnë një gjë të tillë. Ne i kuptojmë shqetësimet e nënave dhe qytetarëve të Gjakovës, por i garantojmë ata që asnjë kriminel nuk do të jetë asnjëherë pjesë e pelegrinëve ngase vendi i tyre do të jetë burgu”, ka shkruar Zyberaj në facebook.
Ai ka shtuar se të gjithë kriminelët serbë që kanë kryer krimet më të tmerrshme që nga Lufta e Dytë Botërore duhet të dalin para drejtësisë.
Pelegrinët serbë në mënyrë tradicionale vizitojnë kishën e Gjakovës për krishtlindjet ortodokse. Ndërsa, qytetarët e Gjakovës kanë protestuar edhe viteve tjera kur kanë ardhur pelegrinët serbë./21Media