Sot protestojnë veteranët e UÇK-së

(Lajm i përditësuar)


Daut Haradinaj fton të gjithë në protestë: Veteranët nuk e pranojnë përbuzjen

Anëtari i kryesisë së AAK-së, Daut Haradinaj, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e sotme pa dallim partie.

Daut Haradinaj ka thënë se mbrojtja e vlerave të luftës është obligim moral i secilit.

“Pjesëmarrja në protestën e sotme, është obligim moral, për të demonstruar që një luftëtarë ( veteran) nuk e pranon përbuzjen dhe aq më tepër tek armiqtë e lirisë dhe të shtetit tonë”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se protesta është mjet demokratik që e garanton kushtetuta dhe ligjet e Kosovës.

“Bashkë me shumë miq do të jemi prezent në shesh në ora 18:00.Protesta është mjet demokratik që e garanton kushtetuta dhe ligjet e Kosovës, prandaj ju bëjë thirrje pa dallim partie të dalim së bashku në mbrojtje të vlerava tona më të çmuara”, është shprehur Daut Haradinaj.


Sot protestojnë veteranët e UÇK-së

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të shtunën duke filluar nga ora 18:00 do të mbajnë protestë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Në njoftim është potencuar se “do të protestohet kundër skandaleve qeveritare”.

“Kundër koordinimit me Milan Radojçiqin! Kundër shkeljes së të drejtave të luftëtarëve të UÇK! Ligji që përjashton veteranët nga paga minimale, u votua turpshëm nga shumica parlamentare. Prandaj kërkojmë nga presidentja që ta kthejë mbrapsht këtë ligj të padrejtë dhe anti-UÇK”, është shkruar ndër të tjera në njoftimin e organizatës.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku ka deklaruar dje se Kuvendi i Kosovës jashtëligjshëm ka miratuar Ligjin për pagën minimale, i cili nuk përfshin veteranët e luftës.
Ai po ashtu ka thënë se nga viti i kaluar kanë bërë të ditur qëndrimet e organizatës që do të pengojnë punën e institucioneve, në rast se nuk merren parasysh kërkesat e tyre.

Kësaj proteste ka konfirmuar se do t’i bashkohet edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar mbrëmë (13 korrik) Projektligjin për pagën minimale, në të cilin nuk janë përfshirë veteranët./21Media

Back to top button