Sot proteston opozita kundër kryeministrit

Sipas PD, kjo protestë do të jetë vendimtare për Shqipërinë

Partia Demokratike dhe opozita sot kanë thirrur në protestë qytetarët shqiptarë.

Tubimi është paralajmëruar të nisë në orën 11:00 përpara kryeministrisë, duke kundërshtuar qeverinë e kryeministrit, Edi Rama.

Nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, qytetarë dhe mbështetës të opozitës janë nisur që prej orëve të para të mëngjesit për të mbërritur në Tiranë.

Nga Saranda, autobusë dhe makina të vogla janë nisur që prej orës 4 të mëngjesit. Mbështetësit e opozitës janë organizuar nga PD, LSI dhe PBDNJ. Edhe protestuesit e qarkut Fier janë nisur drejt Tiranës. Kreu i PD dhe deputeti Luan Baci deklaron se në radhët e protestuese fierakë nuk ka asnjë person me precedent penal.

Sipas PD, kjo protestë do të jetë vendimtare për Shqipërinë, ku qytetarët do të marrin në dorë fatet e tyre, duke larguar kryeministrin, Edi Rama.

Opozita thotë se protesta do të jetë paqësore, por nga ana tjetër Policia e Shtetit në një deklaratë tha se persona me rekorde kriminale janë përgatitur për dhunë gjatë ditës së sotme.

Ndaj deklaratave të policisë reagoi Gazmend Bardhi sipas të cilit i vetmi person i dhunshëm është Edi Rama.

Ndërkohë Edi Rama ditën e sotme do të jetë në Vlorë, në një takim me qytetarët. Lulzim Basha e ironizoi duke thënë se po ia mbath nga protesta e opozitës./oranews

Back to top button