Sot takohet grupi parlamentar i VV-së, vendosin për Kryetar të Kuvendit

Lajmin e ka konfirmuar Albulena Haxhiu

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje pritet të takohet sot për të vendosur nëse do të propozojnë ndonjë kandidat për Kryetar të Kuvendit, nesër në seancën konstituive.

Lajmin e ka konfirmuar deputetja e zgjedhur e VV-së, Albulena Haxhiu në një intervistë për KALLXO.com. “Nesër përveç konstituimit të Kuvendit të Kosovës që është pikë e tretë janë dy pika, që është verifikimi i mandateve të deputetëve dhe betimi i deputetëve. Ne sot kemi mbledhjen e grupit parlamentar ku do ti diskutojmë të gjithë këto çështje dhe do të shohim se a do të propozojmë kandidatë për keytarë të Kuvendit apo jo”, ka thënë ajo.

Duke ju referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 i cili ia jep subjektit të parë të drejtën për kryetarin e Kuvendit, Haxhiu ka thënë se ende nuk është definitive nëse kryeparlamentari do ti takojë LDK-së, ashtu siç janë deklaruar. “Ende nuk është definitive, sepse ka dalë kërkesa që kandidati për president tu takoj atyre, pra kanë kërkuar votat e VV-së blanko, që ne edhe po të ishte i joni nuk do të mund ti jepnim votat blako pa e ditur se kush është ai”, ka thënë tutje ajo.

Nesër mbahet seanca konstituive të Legjislaturës së shtatë e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Konform vendimit të presidentit, edhe kryesia e Kuvendit konfirmoi se seanca konstituive e Kuvendit do të mbahet prej orës 15:00. Në përbërjen e re parlamentare do të jenë të përfaqësuara 14 subjekte politike.

Seanca konstituive do të përmbyllet me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit, mirëpo për shkak që LDK dhe VV ende nuk kanë arritur marrëveshje, ende nuk dihet se kush do ta zë ulësen e kryeparlamentarit./kallxo.com

Back to top button