Sot vendosen gurthemelet e dy urave të reja mbi Ibër

Qeveria në detyrë e Kosovës ka njoftuar se të martën, 1 korrik, do të vendosen gurthemelet e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Në një njoftim për media nga zyra e kryeministrit, u njoftua për agjendën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Aty u bë e ditur se në orën 17:00 do të vendoset gurthemeli i urës për kalimin e veturave mbi Ibër, ndërsa pak më vonë do të vendoset gurthemeli për urën për kalimin e këmbësorëve.
“Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me kryetarin e Komunës së Mitrovicës së veriut, Erden Atiq, nënkryetarin e Komunës së Mitrovicës së jugut, Arian Tahiri, ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, njëherësh Kryesues i Bordit të Përbashkët të dy komunave, Elbert Krasniqi, dhe ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, marrin pjesë sot në vendosjen e gurthemeleve të dy urave të reja mbi lumin i Ibër në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe komunave të Mitrovicës së jugut dhe veriut”, thuhet në njoftim.
Agjenda:
Aktivitetet:
1. Vendosja e gurthemelit të urës për kalim të veturave mbi lumin Ibër
KOHA: 17:00
VENDI: Në afërsi të objektit të Komunës së Mitrovicës së veriut, Mitrovicë e veriut
2. Ecje e përbashkët drejt vendosjes së gurthemelit të urës për kalim të këmbësorëve mbi lumin Ibër
KOHA: 17.15
3. Vendosja e gurthemelit të urës për kalimin e këmbësorëve mbi lumin Ibër
KOHA: 17:30
VENDI: Përballë kopshtit të fëmijëve “Gëzimi ynë”, Mitrovicë e jugut
Pas vendosjes së gurthemelit të urës për kalimin e këmbësorëve do të ketë prononcim të përbashkët për media