Sot vendoset për drejtimin e FFK-së, Agim Ademi drejt një mandati të ri

Kuvendi Zgjedhor i Federatës së Futbollit të Kosovës mbahet sot (e enjte) në Prishtinë, duke filluar nga ora 11:00, në Hotel Emerald. Sipas burimeve të KosovaPress, ngjarja nuk është e hapur për media, por do të transmetohet drejtpërdrejt në kanalet zyrtare të FFK-së.
Ky kuvend zhvillohet pas shqetësimeve të ngritura nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit lidhur me standardet demokratike të procesit të kandidimit për president të FFK-së. MKRS ka theksuar se kërkesa për 15 nënshkrime mbështetëse për kandidaturë mund të kufizojë konkurrencën dhe hapësirën për garë të barabartë.
Ndërkohë, UEFA ka konfirmuar pranimin e letrës së MKRS-së, duke nënvizuar se çdo komunikim zyrtar duhet të zhvillohet përmes Federatës së Futbollit të Kosovës. Në përgjigjen e saj është përfshirë edhe letra e përbashkët e FIFA-s dhe UEFA-s, e cila konfirmon harmonizimin e statutit të FFK-së, ndërsa është theksuar se çdo diskutim i mëtejmë mund të bëhet vetëm pas mbajtjes së kuvendit. Burime nga MKRS kanë bërë të ditur se vetë kuvendi mund të zhvillohet në mënyrë legjitime dhe se nuk ekzistojnë pengesa për vazhdimin e tij.
Presidenti aktual i FFK-së, Agim Ademi, pritet të jetë kandidati i vetëm në këtë kuvend zgjedhor, me synimin për të fituar edhe një mandat tjetër katërvjeçar në krye të federatës.