Spahiu: Marrëdhëniet me SHBA-të nuk janë në nivelin e duhur

Ish-ambasadori i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, ka vlerësuar se raportet e Kosovës me SHBA-të nuk janë në nivelin e duhur për shkak të mungesës së koordinimit të veprimeve të Qeverisë së Kosovës. Vlerësimet me tone kritike të ish-ambasadorit Spahiu të bëra në një intervistë për RTV21 erdhën pasi në mbledhjen e Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit Amerikan u vlerësua se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është pengues i proceseve.
“Nuk është filozofi e thellë të thuhet se marrëdhëniet me SHBA-të nuk janë në atë nivel që do të dëshironim të shihnim. Nuk dua të kërkoj fajtorin në këtë drejtim, sepse përkeqësimet kanë filluar të ndodhin edhe në qeveritë e mëparshme. Por, nuk bën të jemi të heshtur, të painteresuar se çfarë po ndodh me këto raporte. Kemi pasur disa raste edhe gjatë kësaj qeverie që SHBA-të kanë tërhequr vërejtjen për shumë gjëra, sidomos për mungesën e koordinimit në marrjen e vendimeve esenciale. Mendoj se është koha që tani të fillojmë të bëjmë përpjekje sa më të mëdha që të ripërtrijmë atë nivel të raporteve që kemi pasur me SHBA-të.”, tha Spahiu.
Në këtë drejtim, ish-ambasadori Spahiu apelon që kushdo që të jetë në qeveri, duhet të ketë parasysh rëndësinë jetike të forcimit të raporteve me SHBA-të. Por, përveç Uashingtonit, sipas tij, duhet të thellohet bashkëpunimi edhe me partnerët demokratikë të Bashkimit Evropian, me qëllim që vendi të konsolidojë pozicionin e tij në arenën ndërkombëtare.
“E kaluara ka dëshmuar se pa SHBA-të nuk do të ishim në gjendje të merrnim hapat që kemi marrë që nga shpallja e pavarësisë e më tutje në shtetndërtimin tonë. Prandaj, nuk ka pse të dyshohet se edhe në të ardhmen ndihma e Amerikës është shumë esenciale për ne. Natyrisht që qeveritarët tanë, kushdo që të jetë, duhet ta kenë këtë parasysh dhe të bëjnë çmos që të forcojnë raportet me SHBA-të ashtu siç i kemi pasur. Jo vetëm me SHBA-të, por thellimi i marrëdhënieve duhet të bëhet me të gjithë partnerët tanë demokratikë të BE-së, në mënyrë që të konsolidojmë pozicionin tonë në konstelacionin ndërkombëtar.”, u shpreh Spahiu./RTV21/21Media