Specialja arreston Isni Kilajn

Është arrestuar ish-komandanti i UÇK-së, Isni Kilaj. Arrestimin e tij e ka konfirmuar Komuna e Malishevës në një postim në Facebook.
Kilaj është arrestuar pasi që Gjykata Speciale të enjten ka bastisur shtëpinë e tij.
Në postimin e Komunës së Malishevës është shprehur shqetësim për arrestimin e ish-kryetarit Kilaj.
“Komuna e Malishevës, me shqetësim të madh ka marrë informacionin se EULEX-i mbrëmë ka arrestuar ish-kryetarin e Komunës së Malishevës, z.Isni Kilaj. Paraprakisht, policia e EULEX-it ka bastisur shtëpinë e z.Kilaj, e rrjedhimisht ka shkaktuar edhe panik dhe shqetësim të të gjithë qytetarëve”, thuhet në këtë postim.
Në këtë postim kërkohet nga Gjykata Speciale “të ndërpresë këtë mënyrë të përndjekjes së çlirimtarëve”.
Tutjet thuhet se “Isni Kilaj, dhe të gjithë bartësit e luftës çlirimtare, janë të pafajshëm dhe të gjitha këto veprime të gjykatave, i konsiderojmë si veprime politike, që për qëllim kanë njollosjen e luftës për çlirim”.
Kilaj në vitin 2019 ishte ftuar në Hagë për intervistim, megjithatë nuk pati specifikuar se në çfarë cilësie qe thirrur.