“Spekulime, spekulime”, masat përplasin Qeverinë me BE-në

Një deklaratë e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi se ka informacione se në raportin e shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, parashihet heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës ka shkaktuar paqartësi edhe më të mëdha. Pas demantimit që i bëri zëdhënësi i BE-së kësaj deklarate duke e quajtur spekulim, kryeministri Kurti ka thënë se nuk spekulon për spekulimet.
RTV21: Kryeministër, Bashkimi Evropian tha se janë spekulime paralajmërimet për heqjen e masave. Si e komentoni këtë dhe a keni pritshmëri se do të hiqen masat ndëshkuese?
Kurti: Nuk mendoj se duhet të spekulojë për spekulimet
Por, çka tha zëvendëskryeministri Bislimi për heqjen e masave dhe si ju përgjigj Bashkimi Evropian.
Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës
Peter Stan, zëdhënës i BE-së
Pavarësisht se zëdhënësi i BE-së e mohoi se ka zëra brenda unionit për heqjen e masave pa u prezantuar raporti i Borrellit, anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme nga VV, Fitore Pacolli, thotë se një gjë të tillë e kanë dëgjuar nga zyrtarët e BE-së.
“Në bazë të deklarimeve apo nga ato që i kemi dëgjuar nga Bashkimi Evropian është paraparë që në raport të përmbajë heqjen e masave. Ne kemi theksuar disa herë që vendosja e masave ka qenë e padrejtë dhe duhet të hiqen sa më parë që është e mundur. Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe çfarëdo deklarimi se nuk do të hiqen masat është i papranueshëm. Kërkojmë nga BE-ja që masat të largohen sa më parë që të jetë e mundur”, tha Pacolli.
Deputetja Pacolli kritikoi BE-në për pafuqinë apo sjelljen, sic e quajti të butë, ndaj Serbisë e cila po e shkelë marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve.
‘’Kemi të bëjmë me një palë të vështirë sic është Serbia e cila nuk e pranon ta kaluarën e saj gjenocidale. Poashtu kjo tregon edhe qasjen e BE-së ndaj Serbisë e cila e trajton butë që ta mbajë largë Rusisë”, shtoi ajo.
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arbnor Sadiku, tha se dëshira për heqjen e masave po shtynë zyrtarët e Qeverisë të bëjnë deklarime të tilla të pakonfirmuara për heqjen e masave. Po ashtu, thotë se BE-ja po tregohet e pafuqishme si ndërmjetësuese e dialogut.
‘’BE-ja ka qenë totalisht e pafuqishme veçanërisht ndaj Serbisë për respektimin e marrëveshjeve. Por së fundmi ka qenë e pafuqishme edhe ndaj Kosovës, pasi që pavarësisht rekomandimeve po shihet që Kosova nuk po e themelon asociacionin si parakusht për finalizimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve”, tha Sadiku për rtv21.
Bashkimi Evropian ka thënë se afati i dorëzimit të raportit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, rreth masave të vendosura ndaj Kosovës, dhe përmbajtja e këtij raporti, janë çështje ndër-institucionale të BE-së dhe rreth tyre nuk mund të spekulojnë akterët jashtë bllokut evropian./RTV21/21Media