Spiropali për Rugovën: Politikan që s’ngjante me askënd – evokoi rrënjët e identitetit tonë

Në ditën e lindjes së ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova, ministrja e Punëve të Jashtme në Shqipëri, Elisa Spiropali, i ka kushtuar një shkrim atij.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se Kosova dhe Rugova, janë të pandara në sytë e botës të qytetëruar.

Teksa shtoi se në rrugën e mundimshme të Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë, Rugova priu me urtësi dhe vetëdije atdhetare të palëkundur.

“Ndoshta për shkak të emrit Ibrahim/Abraham, në fëmijëri Ibrahim Rugova më fanepsej si profet. Më vonë konstatova se ky politikan nuk ngjante me askënd. Nuk çirrej, nuk mburrej, nuk denigronte kundështarët, nuk rrihte gjoksin, nuk luftonte të ishte kudo pa arsye. Prezenca dhe mungesa e tij ishin njësoj të rëndësishme. Rugova evokonte Dardaninë, rrënjët e identitetit tonë, atë që kemi qenë, atë që duhet të jemi. Ibrahim Rugova ishte një Prijës politik e shpirtëror misionar. Butësia e Tij ishte Forcë e papërballueshme vendosmërie dhe pandryshueshmërie. Rugova nuk udhëhiqej nga turmat. Rugova turmat i udhëhiqte nëpër shtigje të panjohura, nga errësira drejt dritës. Kosova dhe Rugova, Rugova dhe Kosova, janë të pandarë në sytë e botës së qytetëruar. Në traditën më të ndritur të Rilindjes, për Rugovën dielli i shqiptarëve lind nga perëndon. Në rrugën e mundimshme të Kosovës drejt Lirisë dhe Pavarësisë, Ibrahim Rugova priu me urtësi dhe vetëdijë atdhetare të palëkundur. Lindi më 2 Dhjetor, 81 vite më parë. Dhe do kujtohet gjithmonë”, ka shkruar Spiropali./21Media

 

Back to top button