Spitali i Gjakovës: Pacientja që vdiq dje ishte që tre vjet në gjendje komatoze

Një grua ka vdekur në Gjakovë, mëngjesin e djeshëm. Përmes raportit 24 orësh, Policia e Kosovës tha se një burrë me të cilin ajo kishte bashkëjetuar ka raportuar për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.

Ndaj këtyre abuzave ka reaguar, Spitali i Gjakovës duke thënë se pacientja M.R. që vdiq dje (e premte) ka qenë në gjendje komatoze (pa vetëdije) për më shumë se tre vjet dhe gjatë gjithë kësaj periudhe është trajtuar në Kujdes Intensiv Qendror.

Nga Spitali theksohet se denoncuesi nuk është pjesë e familjes dhe deklaratat e tij nuk përputhen me faktet, duke paraqitur një tentativë të qëllimshme për të njollosur punën e stafit.

“Stafi mjekësor dhe infermierët kanë ofruar kujdes të pandërprerë dhe profesional, në përputhje me protokollet mjekësore për raste të tilla”, thuhet në reagim.

Edhe pse vizitat në Kujdesin Intensiv operohen me rregulla strikte, siç njoftin Spitali i Gjakovës, familjarët e pacientes kanë qenë të pranishëm gjatë gjithë kohës që ajo ka qëndruar në spital.

Krejt në fund, Spitali ka bërë apel që organet kompetente, Inspektoratit Shëndetësor, Policisë dhe Prokurorisë që të trajtojnë rastin me seriozitet dhe të mos lejojnë shpifje apo manipulime që dëmtojnë punën e punëtorëve shëndetësorë.

Back to top button