Sport i ri, ambicie të mëdha: Kosova dhe Shqipëria planifikojnë “Ballkan Tour” në padel

Sporti i padelit, një ndër disiplinat më të reja që po fiton popullaritet në Kosovë dhe rajon, po shënon rritje të vazhdueshme në numrin e pjesëmarrësve dhe në organizimin e turneve. “Prishtina Padel Open”, që po zhvillohet për të tretin vit me radhë, po konsiderohet si një prej ngjarjeve më të rëndësishme të këtij sporti në vend, duke tërhequr interes të madh nga sportistë vendas dhe të huaj.

Përfaqësuesit e federatave të Kosovës dhe Shqipërisë folën për rëndësinë e këtij turneu dhe për zhvillimin e padelit në nivel kombëtar e rajonal.

Sekretari i Federatës së Padelit të Kosovës, Jusuf Kika, tha se interesimi për sportin e padelit po rritet ndjeshëm nga viti në vit.

“Truneu ‘Prishtina Padel Open’ është ne edicionin e tretë të tij që nga themelimi i federatës në vitin 2021. Çdo vit e më shumë po shënon rritje si ky edicion ashtu edhe turnetë tjerë tashmë prej themelimit të federatës në vitin 2021 i kemi organizuar më shumë se 30 evente këtu në Prishtinë. Ndërsa sa i përket interesimit është shumë i madh, kësaj here ka një rëndësi më të veçantë për arsye se i kemi bërë ftesë edhe Federatës së Padelit të Shqipërisë dhe e kemi një numër të madh të lojtarëve që kanë ardhur nga atje dhe po shpresojmë që ta bëjmë si turne tradicional njëherë në Prishtinë, njëherë në Tiranë”, tha Kika.

Tutje, Kika bëri të ditur se turneu nuk do të mungojë as me shpërblime për fituesit, përfshirë edhe renditjen me pikë në nivel ndërkombëtar.

“Patjetër që do të ketë edhe shpërblime, do të ketë edhe trofe edhe me mjete financiare, në të njëjtën kohë do të ketë edhe disa dhurata të vogla por ajo që është kryesorja e këtij turneu do të jetë fitimi i pikëve, pra është rankimi me pikë ku përgjatë turneve të tjerë do të kenë benefite në ranglistën ndërkombëtare”, bëri të ditur Kika.

Sekretari i Federatës së Padelit të Shqipërisë, Ersild Vladi, theksoi bashkëpunimin e ngushtë mes dy federatave dhe planet për zhvillimin e përbashkët të aktiviteteve rajonale.

“Ne për momentin po zhvillojmë shumë bisedime bashkë për të rritur sa më shumë bashkëpunimin, po mendojmë që në muajin tjetër të kemi një ‘Tirana Open’ që shumica e lojtarëve federata e Kosovës të vijnë në Shqipëri. Po mendojmë për një Ballkan Tour për FIP -in që të jemi në Shqipëri ose në Kosovë, po mundohemi që ta zhvillojmë sa më shumë padelin në të gjithë ballkanin”, deklaroi Vladi.

Para nisjes sw turneut, sportistwt morwn edhe disa informata rreth antidopingut. Koordinatori i KosADA-s (antidoping(, Bernard Tahirbegolli, foli për rëndësinë e edukimit të sportistëve në lidhje me rregullat antidoping dhe vetëdijen që duhet të kenë në këtë drejtim.

“Padeli si sport i ri është në zhvillim e sipër dhe shumica e sportistëve nuk kanë marr një edukim paraprak dhe nuk e kanë atë vetëdijen e dëshiruar në lidhje me antidopingun dhe për këtë e kemi parë të arsyeshme që ta ngrisim vetëdijen në mesin e sportistëve që janë këtu sepse sportisti kur regjistrohet në një klub i pranon rregullat, e pranon kodin e mirësjelljes dhe duhet ta dijë që ka edhe rregulla të antidopingut të cilave duhet t’iu përmbahet dhe ideja është që të parandalohet dhe jo të shkohet vetëm për t’i ndëshkuar dhe ta rrisim vetëdijen në mesin e komunitetit të sportit”, theksoi Tahir Begolli.

Sporti i padelit po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një disiplinë atraktive dhe me potencial të madh zhvillimi në Kosovë dhe në rajon. Bashkëpunimi ndërmjet federatave të Kosovës dhe Shqipërisë, organizimi i turneve të përbashkëta dhe angazhimi për edukimin e sportistëve në fusha si antidopingu tregojnë përkushtimin drejt një rritjeje të qëndrueshme dhe profesionale të këtij sporti që po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet./kp

Back to top button