“Srebrenica të mos harrohet kurrë”

Marsi i paqes në Shkup

“Krim është ta harrosh krimin”, thotë Senida, e cila ka humbur nënën dhe të afërmit në luftë në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ajo sot ishte pjesë e marshit të paqes, së bashku me dhjetëra qytetarë, në shenjë mbështetjeje për të gjitha nënat që i kanë humbur më të afërmit e tyre në masakrën e 11 korrikut të vitit 1995 në Srebrenicë.

“Zemra ime do të gjejë qetësi kur të gjithë njerëzit do t’i nderojnë të gjithë viktimat e gjenocidit në Srebrenicë. Sado që të mohohet ose të mos shkruhet në letër, do të vijë dita dhe shpresoj se do të jem gjallë, kur, ata të cilët tani po e mohojnë gjenocidin, do ta pranojnë se ndaj këtij populli, vërtetë është kryer gjenocid”, tha ajo.

Fëmijë, të rinj, e të moshuar, të veshur me të bardha u lutën për të gjitha viktimat. Ata porositën që Srebrenica të mos përsëritet më kurrë dhe ajo që ndodhi në vitin 1995 – gjithnjë të mbetet në memorie.

Përfaqësues të Kuvendit dhe qytetarë nga Maqedonia sot shprehën nderim për viktimat në Qendrën Përkujtimore – Potoçari në Bosnjë dhe Hercegovinë. Përndryshe, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë në 4 shkurt të vitit 2010 e përkrahu Rezolutën e Parlamentit Evropian për Srebrenicën, të miratuar në janar të vitit 2009, dhe u zotua që datën 11 korrik ta shënojë në mënyrë të përshtatshme.

Back to top button