Standardi i Maqedonisë ngec në vend

Mishi,peshku dhe djathi janë luks në tryezën familjare

“Buxheti familjar është i rezervuar për sigurimin e ushqimit dhe pagesën e faturave. Nuk na kujtohet se kur për herë të fundit kemi arritur që të kursejmë pak para”. Kryesisht, ky është mendimi të cilin e kanë numri më i madh i qytetarëve të anketuar, të cilët i takuam në qendrën e Shkupit. Rroga dhe pensioni nuk mjaftojnë për ushqim cilësor dhe të shëndetshëm, faturat janë shumë të larta, ndërsa të ardhurat janë nën mesatare, ankohen qytetarët. Një pjesë e frutave, perimeve si dhe peshku, mishi dhe djathi, tanimë për një kohë të gjatë janë luks në tryezë. Qytetarët shprehen se një familje katër anëtarëshe të mund të jetojë një jetë cilësore duhet të ketë të ardhura mujore prej 1000 euro.

Edhe raporti i fundit të Entit shtetëror për statistikë pohon se ka rritje të shpenzimeve jetësore, por edhe i çmimeve me pakicë. Analiza tregon se harxhimet janë rritur për 1, 5% ndërsa çmimet, për gjysmë përqind. Statistikat tregojnë kështu:

Ushqim dhe pije joalkoolike 1,1%

Pije alkoolike dhe duhan 6,6%

Veshje dhe mbathje 0,5%

Transport 2,1%

Komunikime 9,7%

Restorante dhe hotele 5,1%

Ndërsa llogaritja e LSM-së për përcaktimin e shportës me harxhime minimale për një familje katër anëtarëshe, tregon se nevojiten 32 mijë denarë.

Llogaria e sindikatës tregon se për blerjen e ushqimit dhe pijeve, një familjeje katër anëtarëshe i nevojiten diku mbi 13 mijë denarë. Për pagesën e faturave rreth 10 mijë denarë, për transport diku rreth 3 mijë denarë, ndërsa për të ruajtur shëndetin më së paku nevojiten 1000 denarë.

Të dhënat zyrtare tregojnë se neto paga mesatare në Maqedoni është 22.600 denarë. Lartësia e pagave mesatare është temë diskutimi mes partive më të mëdha maqedonase, LSDM dhe VMRO-DPMNE. Partia e cila tani është në pushtet dha premtim parazgjedhor se deri në fund të mandatit të tyre, paga mesatare do të arrijë shumën e 30 mijë denarëve, ndërsa opozita aktuale thotë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë dhe se rritja e pagave dhe pensioneve është bërë vetëm në kohën kur ata kanë qenë në pushtet./21Media

Back to top button