Stano: Hapat e njëanshëm të Kosovës çojnë drejt përshkallëzimeve të mëtejme
Një zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se mbylljen e nëntë pikave të Postës së Serbisë në veri të Kosovës nga autoritetet, BE e cilëson si “veprim të njëanshëm dhe të pakoordinuar”.
Ai këtë të martë në një konferecë për media tha se veprimi i djeshëm i Kosovës ka pasoja shumë negative dhe kjo sipas tij çon drejt përshkallëzimeve të mëtejme.
“Ne e cilësojmë si një hap të pakoordinuar dhe të njëanshëm saktësisht për arsyet që i numëruam në deklaratën e publikuar natën e kaluar. Palët, Kosova dhe Serbia, kanë një marrëveshje, kanë arritur një marrëveshje në vitin 2013 për telekomunikacionn në të cilën thuhet se shërbimet postare do të diskutohen në një fazë të mëvonshme, që nënkupton se është një dialog që përfshihet në zgjidhjen e kësaj çështjeje, Fatkeqësisht ajo që qeveria dhe autoritetet e Kosovës bënë gjatë ditës së djeshme ishte absoulutisht e pakoordinuar dhe absolutisht një hap i njëanshëm që ka pasoja shumë negative për qytetarët në pjesën veriore të Kosovës. Dhe kjo është shkelje e marrëveshjeve të dala nga dialogu. Edhe në deklaratën e publikuar ditën e djeshme e thamë qartë se kjo është në kundërshtim me dialogun dhe shkelje e marrëveshjeve të dialogut. Është edhe një shembull i hapave të njëanshëm dhe të pakoordinuar të ndërmarrë nga autoritetet në Prishtinë, E dijmë nga e kaluara se cili është rezultati i hapave të këtillë të njëanshëm dhe të pakoordinuar dhe ndikimi negativ për qytetarët”, tha Stano, përcjell rtv21.
Stano tha se “kjo nuk ka të bëjë me shtendosje por çon drejt përshkallëzimeve të mëtejme”.
“Në këtë fazë BE-ja e ka bërë shumë të qartë se çfarë pret nga administrata e Kurtit. Ne presim që ta rishqyrtojë dhe ta trajtojë këtë çështje në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe se do të vijnë me propozime që do të trajtojnë ndikimet e mundshme negative të vendimit mbi qytetarët në pjesën veriore të Kosovës. Të gjitha çështjet që numëruat (vj. masat e BE-së ndaj Kosovës, shqyrtimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, përfitimi nga Plani i Rritjes) janë çështje me të cilat Kosova ka probleme. Fakti se BE-ja ka vendosur masa ndaj Kosovës, vitin e kaluar, është reflektim i hapave që çuan në përshkallëzim. Tani po shohim më shumë hapa të njëanshëm, më shumë veprime të pakoordinuara, kjo nuk ka të bëjë me shtendosje por çon drejt përshkallëzimeve të mëtejme. Kjo duhet të kuptohet qartë nga ata që marrin vendime në Prishtinë”, tha Stano.
Policia e Kosovës më 5 gusht i ka mbyllur nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri, përmes një aksioni të nisur më herët gjatë ditës.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani kishte thënë se aksioni ka nisur pas informatës së pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).
Me këtë veprim janë shprehur të zhgënjyer ndërkombëtarët, me ç’rast, Qeveria amerikane ka thënë se është thellësisht e zhgënjyer me ato që i ka cilësuar “veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës” kundër degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës./RTV21/21Media