Deri në mesditë kanë hyrë 44 mauna me mallra në vlerë prej 250 mijë euro

Sipas Lushakut, mallra nga Serbia janë importuar më shumë pas heqjes së taksës ndaj lëndës së parë

Në ditën e tretë të vendimit të masës së reciprocitetit, në pikat kufitare ka vazhduar futja e mallrave nga Serbia në Kosovë. Pas heqjes së taksës 100% nga qeveria Kurti, deri në mesditë në pikat kufitare kanë hyrë 44 mauna në vlerë prej 250 mijë euro. Në Doganën e Kosovës kanë thënë se masa e reciprocitetit me Serbinë po zbatohet dhe se nuk ka pasur emërtime antikushtetuese në dokumentet nga Serbia.

Vetëm në pikën kufitare në Merdarë nga mëngjesi kanë hyrë katër mauna me mallra me origjinë nga Serbia. Arton Lushaku, shef i ndërrimit në këtë pikë kufitare ka treguar se maunet kanë importuar mallra të ndryshme.

Ndër të tjera, Lushaku ka bërë të ditur se mallra nga Serbia janë importuar më shumë pas heqjes së taksës ndaj lëndës së parë, krahasuar me mallrat që kanë hyrë në Kosovë pas vendosjes së masës së reciprocitetit.

Për këtë, zëdhënësi për media në Doganën e Kosovës, Adriatik Stavileci për Kp ka deklaruar se vetëm gjatë ditës së sotme në gjitha pikat kufitare kanë hyrë 44 maune nga Serbia, në vlerë prej 250 mijë euro.

“Ditën e parë kemi pasur një import të ulët, pra vetëm 16 mauna kanë qenë nga Serbia, derisa nga Bosnja nuk ka pasur. Derisa në ditën e dytë kemi pasur rreth 100 mauna të cilat kanë hyrë nga Serbia me vlerë rreth gjysmë milioni euro. Këto kryesisht kanë qenë me produkte ushqimore si dhe me industrinë kimike, po ashtu edhe me industrinë ndërtimore. Derisa sot për momentin që ne flasim kemi rreth 44 mauna të cilat kanë ardhur nga Republika e Serbisë. Dhe vlera e tyre deri në këtë moment është rreth 250 mijë euro, pra është më e ulët se dy ditët paraprake. Derisa sot kemi edhe katër importet e para nga Bosnja, të cilat kanë një vlerë rreth 30 mijë euro”, ka deklaruar Stavileci.

E, pas heqjes së taksës për lëndën e parë, nga data 20, Stavileci ka treguar se ka pasur import në vlerë prej një milion euro.

“Kemi pasur rreth 1 milion euro import, kryesisht nga Serbia, ndërsa nga Bosnja nuk kemi pasur të lëndës së parë. Por, mund t’iu them që lënda e parë, edhe para vendosjes së taksës brenda vitit kemi pasur nga Serbia rreth 26 milionë euro import të lëndës së parë, që është një shifër mjaft e vogël krahasuar me totalin e importit të Serbisë që kemi pasur mes 450 milionë euro brenda një viti”, ka shtuar ai.

Ndër të tjera, ai ka theksuar se nga Dogana e Kosovës masa e reciprocitetit po respektohet, derisa ka shtuar se deri më tani janë bërë 200 kërkesa nga Serbia e Bosnjë-Hercegovina. Për këtë, siç ka thënë ai nuk është parë asnjë emërtim antikushtetues në dokumentet nga Serbia gjatë importit.

Ndryshe, tri ditë më parë Qeveria në detyrë e Kosovës ka hequr taksën 100%. Ky vendim obligon që në marrëdhëniet me Serbinë emërtimet e certifikatave fitosanitare dhe dokumentet e tjera përcjellëse si dhe certifikatat veterinare dhe dokumentet e tjera përcjellëse të përdoren në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.

Back to top button