“Stiffler” premierë në Teatrin ODA

Shfaqja “Stiffler” do të jepet premierë më 4 dhjetor, me fillim nga ora 20:00, në Teatrin “Oda” në Prishtinë.
Me tekst nga Dori Basha, nën regjinë e Kushtrim Koliqit dhe me aktorët: Rebeka Qena, Adrian Morina dhe Armend Smajli, Integra ka realizuar këtë projekt teatror, i cili paraqet jetën dhe sfidat e një punëtoreje seksi, kështu duke trajtuar një çështje tejet të ndjeshme që ka të bëjë me të drejtat dhe trajtimin e këtij grupi të margjinalizuar në shoqërinë tonë.
Shfaqja tregon përvojën e Havës, një punëtore seksi e therur me thikë në shpinë nga një klient i saj, e cila kalon 24 orë duke kërkuar ndihmë nëpër institucione dhe adresa të ndryshme, ku trajtohet e gjykohet si kriminele e jo si viktimë e një krimi.
Shfaqja ka marrë titullin “Stiffler”, kështu duke portretizuar thikën, të cilën Hava e mban të ngulur në shpinë përgjatë gjithë shfaqjes si simbol të asaj që ajo merr në secilin institucion e derë që troket për të kërkuar ndihmë, një tjetër thikë të ngulur në plagën që vazhdon t’i qëndroj hapur.
“Stiffler” është rrëfim për një shoqëri që përdor moralin si kriter për shfaqje të njerëzisë e ofrim të ndihmës; për një sistem që e ka të internalizuar bindjen se trupi i një gruaje të “pamoralshme” më parë duhet të gjykohet vetë si vepër penale se sa të këqyret si dëshmi e një krimi të dhunshëm. Dhe përfundimisht, është rrëfim për lehtësinë e amnistimit të dhunës, keqbërësit, e krimit të kryer në emër të virtyteve të shoqërisë.
Pjesë e ekipit artistik të këtij prodhimi janë edhe: Njomëza Luci, kostumografe; Genc Elezaj, kompozitor; Mentor Berisha, skenografe; Kreshnike Osmani, asistent regjisore; Leart Rama, video realizator, Yann Perregaux, dizajner i dritave dhe Gëzim Ramizi, dizajner.
Repriza e parë e “Stiffler” jepet më 5 dhjetor prej orës 20:00 në Teatrin “ODA” në Prishtinë./21Media

Back to top button