Stoltenberg për marrëveshjen e Ohrit: Të zbatohet plotësisht nga të dy palët

NATO edhe njëherë tjetër ka përforcuar qëndrimin e vet se e përkrah marrëveshjen e arritur në Ohër, mes Kosovës dhe Serbisë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se pas arritjes së marrëveshjes, fokusi duhet të jetë te zbatimi i shpejtë dhe i plotë i saj.

“E mirëpres marrëveshjen dhe gjëja e rëndësishme tani është zbatimi i plotë, zbatimi i shpejtë dhe i plotë i marrëveshjes mes Beogradit dhe Prishtinës. Dhe natyrisht, ne mbështesim plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Aleatët e NATO-s dhe NATO-ja ofron mbështetje politike. Ne kemi qenë në kontakt të afërt me BE-në por edhe me Prishtinën dhe Beogradin”, ka deklaruar Stoltenberg para gazetarëve.

“Pra, mbështesim marrëveshjen. Mesazhi është se ajo duhet të zbatohet plotësisht dhe shpejt nga të dyja palët”, theksoi tutje Stoltenberg.

Ndryshe, më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, pas më shumë se 12 orë negociatash mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq është arritur marrëveshje mbi Aneksin e implementimit të Planit evropian për dialogun, por pa nënshkrim të palëve. Megjithatë, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka thënë se marrëveshja dhe aneksi për zbatimin e saj konsiderohen të aprovuara.

Back to top button