Streetball Kosova zhvillohet të premten

 
Më datën 20 gusht në Prishtinë, përkatësisht në Sheshin Skënderbëu do të zhvillohet kampionati i Streetball Kosova i organizuar nga Shoqata e Stretballit të Kosovës.
Në këtë ngjarje do të marrin pjesë 12 ekipe që do të ndahen në katër grupe sipas sistemit të FIBA-së.
Agon Femiu nga Streetball Kosova tha para mediave se ky është edicioni i nëntë i këtij kampionati që është i licencuar nga FIBA 3×3 dhe se për organizimin e tij kanë marrë mbështetje edhe nga Komuna e Prishtinës.
“Është edicioni i 22-të i Kampionatit të Kosovës në Basketboll 3×3. Tani e 22 vite i organizuar nga Shoqata e Streetballit të Kosovës, anëtare e Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe FIBA 3X3. Kampionati i Kosovës është i nënti radhazi, i licencuar nga FIBA 3×3… Këtë vit, sipas traditës, tashmë 21 vjeçare përkrahje kemi edhe nga Komuna e Prishtinës e cila i mbetet besnik i Streetball Kosovës.”, tha Femiu.
Më tutje, Femiu duke shpalosur detaje rreth zhvillimit të kësaj gare, bëri të ditur se do të marrin pjesë 12 skuadra që do të ndahen në katër grupe ku vetëm fituesit e të katër grupeve do të kualifikohen në gjysmëfinale të kësaj gare.
“Ngjarja do të zhvillohet të premten para Teatrit Kombëtar, në Sheshin Skënderbeu dhe garat do të fillojnë nga ora 16:00. Pjesëmarrëse do të jenë 12 skuadra të ndara në katër grupe nga tri ekipe sipas sistemit të FIBA-së dhe tashmë numri i skuadrave është plotësuar pra ato janë regjistruar në webfaqen zyrtare të FIBA 3×3…Ndarja e grupeve bëhet në mënyrë automatike, do të thotë sipas rangimit të lojtarëve por edhe koeficionetit të skuadrave në listën e FIBA 3×3. Pasi të jenë zhvilluar ndeshjet në secilin grup, pra secila skuadër luan me secilin, vetëm fituesit e grupeve do të kualifikohen në gjysmëfinale. Pritet që të zhvillohen rreth orës 20:00”, theksoi Femiu.
Në fund Femiu shtoi se pas të përfundojnë ndeshjet e Streetballit, do të zhvillohen edhe disa sfida revyale nga adhurues te basketbollit duke përfshirë edhe ekipe nga streetballi i femrave si dhe një ndeshje speciale do të zhvillohet në nderim të basketbollistit të Prishtinës dhe Kosovës Edmond Azemi ku do të luajnë shumë ish-basketbollit të njohur të Kosovës.

Back to top button