Studentët në veri kundërshtojnë integrimin në sistemin kosovar të arsimit

Me pankarta në duar, studentët dhe profesorët e Fakultetit të Shkencave Teknike dolën sot në tubim për të shprehur shqetësimin për të ardhmen e fakultetit. Një nga mesazhet që u lexua në pankarta pyeste: “Sipas cilit sistem duhet të marrim frymë?”, duke reflektuar shqetësimin e komunitetit akademik për lidhjen e fakultetit me sistemin arsimor të Serbisë.
Studenti i Fakultetit të Shkencave Teknike në Mitrovicën e Veriut, Luka Pecenkoviq, ka deklaruar se zbatimi i Ligjit për të Huajt mund ta fusë universitetin në një proces integrimi, duke ngritur shqetësime për të ardhmen e këtij institucioni dhe të komunitetit akademik.
“Zbatimi i ligjit për të huajt na fut në procesin e integrimit të universitetit. A dëshironi të jeni, te huaj në qytetin tuaj, në universitetin tuaj. Kolegë nga Mitrovica e Kosovës, pa universitet nuk ka as qytetin tonë – qytetin studentor. Profesorë dhe të tjerë që kanë frikë, që janë të shantazhuar, gjithsesi do të humbim. Ata që ju kërcënojnë me humbjen e vendit të punës nuk do të mund ta zbatojnë atë kërcënim. Luftoni për interesin tonë dhe tuajin, për interesin e përbashkët”, tha ai.
Pecenkoviq bëri thirrje që të gjithë të mbrojnë studentët dhe universitetin, si dhe të kujdesen për veten e tyre, duke theksuar se ndërgjegjja nuk duhet t’i lejojë të heshtin.
“Mbroni studentët tuaj dhe universitetin tuaj, dhe kujdesuni për veten, le të mos ju lejoj ndërgjegjja juaj të heshtin. Askush nuk do te luftoj për ne nëse ne vet nuk luftojmë vetë. Askush nuk do të na ndihmojë nëse nuk e ndihmojmë veten”, tha Pecenkoviq.
Fakulteti i Shkencave Teknike në Mitrovicë të Veriut funksionon në kuadër të universitetit që vepron brenda sistemit të Serbisë.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, ditë më parë i tha REL-it se kërkesa për lirimin e pronës së “uzurpuar”, është bërë duke u bazuar në ligjet dhe procedurat në fuqi të Kosovës.
Ai tha gjithashtu se Universiteti i Prishtinës është i përkushtuar për vënien në përdorim të “të gjitha objekteve dhe hapësirave të tij, për të cilat ekziston nevojë e madhe, pa vonesa të mëtejshme”.