Studentët nga Krushevci publikojnë planin dhe rrugën e ecjes për në Nish

Studentët e bllokadës nga Krushevci kanë bërë të ditur planin dhe itinerarin e shëtitjes për në Nish, e cila do të fillojë të enjten, më 27 shkurt.
Profili zyrtar në Instagram i studentëve të Krushevcit ka publikuar një plan lëvizjeje. Nga Krushevci, studentët pushimin e parë do ta bëjnë në Kaonik, pastaj në Xhunis, Deligrad, Rutevc dhe Aleksinac, ku planifikojnë të kalojnë natën. Të nesërmen ata do të nisen për në Teshicë e Donja Toponica, e më pas në Nish.
“Kjo është rruga që studentët e Krushevcit do të ndjekin në luftën për të vërtetën, drejtësinë dhe sundimin e ligjit. Ne nuk do të jemi vetëm në këtë udhëtim. Bashkë me ne do të ecin edhe kolegë nga Kragujevci, Çaçaku, Kraleva, Uzhica, Novi Pazari, Aleksandrovci dhe shumë vende të tjera, me një qëllim: të dëgjojmë zërin tonë dhe të luftojmë për një sistem të drejtë në të cilin mbizotëron parimi i përgjegjësisë”, thuhet në njoftim.
Protesta e radhës në Nish do të mbahet pas bllokadës që zgjati për 15 orë të tëra në Kragujevc, më 15 shkurt.
Bllokadat dhe protestat e studentëve në Serbi shpërthyen pas tragjedisë në Novi Sad më 1 nëntor 2024, ku nga shembja e çatisë së hekurudhës mbetën të vdekur 15 persona dhe disa të tjerë u lënduan. Protestat më pas u përhapën në të gjithë Serbinë si pjesë e një lëvizjeje që kërkon përgjegjësi dhe drejtësi.
Presidenti Aleksandar Vuçiq ka akuzuar se pas protestave qëndrojnë shërbimet e huaja me qëllim për ta rrëzuar atë nga pushteti. Deri më tash dorëheqje ka dhënë kryeministri Millosh Vuçeviq, gjë e cila u pa si një strategji e Vuçiq për të fituar në kohë.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?