Subjektet politike nuk e ndalin propagandën online

Akuzat ndërmjet subjekteve politike përveç në prononcime publike janë shtrirë edhe në rrjete sociale. Një numër i madh i profileve të rrejshme po vazhdon luftën politike përmes dezinfromatave nëpër platforma të ndryshme sociale, thonë ekspertë të fushës. Hulumtuesi i platformës Hibrid.info, Etrit Rexhepi, thotë se përmbajtët aktuale nëpër platformat sociale janë akuzat fajësuese për mos konstituimin e Kuvendit, pa lënë anash sondazhet e rreme.

“Është vështirë me e ditë se kush qëndron prapa tyre por ajo që shohim është se ka përmbajtje jashtëzakonisht dezinformuese, keqinformuese për mos konstituimin e Kuvendit, akuza nga më të ndryshme ndaj të gjitha subjekteve politike varëisht nga përkrahësit.”, tha Rexhepi për rtv21

Ekspertët thonë se në një numër rastesh figurat publike nuk janë distancuar as nga përmbajtjet që janë publikuar nëpër platformat online, duke e bërë situatën edhe më shqetësuese.

“Ata nuk reagojnë fare ndaj përmbajtjeve dezinformuese, reagojnë vetëm në rastet kur ata atakohen përndryshe nuk e kanë fare problem”, deklaroi Rexhepi.

Përmbajtjet dezinformuese politike janë shtuar në prag të zgjedhjeve lokale. Ligjeruesi në fakultetin e gazetarisë, Dren Gërguri, thotë se Kosova është një terren i përshtatshëm për krijuesit e përmbajtjeve propaganduese.

“Ndikimi i tyre është jashtëzakonisht i madh sepse në Kosovë ka edukim të ulët mediatik. pasi që ato krijojnë një përceptim real dhe nuk është vetëm politik sepse është edhe për përfitime ekonomike, ne shohim edhe shitjen e barnave të ndryshme që njerëzit kur e shohin kanë prirje t’i besojnë dhe vazhdojnë t’i blejnë ato”, tha Gërguri për rtv21

Çështja e përmbajtjeve të rreme në rrjetet sociale u rikthye në temë diskutimi pasi që ditë më parë në media u shpërnda një komunikim i deputetes së LVV-së, Fitore Pacolli, ku shihet duke pranuar një Ëebsite i cili shërben për krijimin e dezinformatave. Platforma të cilën deputetja e ka pranuar në komunikimet e saj, vlerësohet se shërben për krijimin e postimeve të rreme në po thuajse të gjitha rrjetet sociale me komente që duken si të vërteta. Në anën tjetër deputetja Pacolli ka hedhur poshtë këto akuza duke thënë se këtë platformë e ka përdorur për të përgatitur një sarkazëm, kundrejt kryetarit të Prishtinës Përparim Rama, i cili sipas deputetes Pacolli po përvetëson punët që ka kryer qeveria e udhëhequr nga LVV-ja. /RTV21/21Media

Back to top button