Subvencionimi i policës kufitare për mërgatën, Kurti: Kosova ju pret me krahë t’hapur dhe zemrën plot

Nga 1 korriku nis subvencionimi i policës kufitare për bashkatdhetarët.
Lidhur me këtë, kryeministri Albin Kurti ka pohuar se Kosova i pret krahë hapur bashkatdhetarët.
“Të dashur bashkatdhetarë, si çdo verë, e përherë, Kosova ju pret me krahë t’hapur dhe zemrën plot. Ju që do të vini me automjete, nga e hëna mund të merrni falas policën e sigurimit me vlefshmëri një muaj, në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse”, ka pohuar kryeministri.
Më tej ai u ka uruar pushime të këndshme në Kosovë.
Ndryshe, të premten, ministri i Financave, Hekuran Murati së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, guvernatorin Ahmet Ismaili dhe BKS-në, kanë nënshkruar marrëveshjen, e cila operacionalizon subvencionimin nga Qeveria të policës kufitare për bashkatdhetarët tanë.
Në subvencionim nuk përfshihen policat kufitare me afat vlefshmërie të ndryshëm prej atij një mujor, si dhe nuk përfshihen automjetet tjera siç janë autobusët, kamionët, motoçikletat etj. Gjithashtu, policat që merren në zyrat e BKS brenda territorit, e jo në pikat hyrëse kufitare, nuk mbulohen nga subvencionimi.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?