VV thotë se pret nga policia zbardhjen sa më shpejt të ngjarjes

VV thotë se pret nga policia zbardhjen sa më shpejt të ngjarjes

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se në mbrëmjen e datës 4 qershor, disa persona janë përpjekur të prishin tubimin e kësaj partie, në fshatin Studençan të Therandës.

“Pasi që s’kanë mundur ta pengojnë tubimin ata janë larguar, e më vonë salla ku mbahej tubimi është sulmuar nga jashtë me një përzierje lëndësh shpërthyese. Fatmirësisht nuk pati asnjë dëmtim njerëzor”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Sulmin ndaj shkollës VV e quan akt qyqar në vetvete, sidomos siç thotë kjo parti, kur kjo është bërë me synim prishjen e tubimit të Lëvizjes, në të cilin merrnin pjesë kandidatët Donika Kadaj dhe Dugagjin Palushi.

VV thotë se pret nga policia zbardhjen sa më shpejt të ngjarjes.

“Ky gjest mjeran tregon parehatinë e ish-pushtetit përballë përparimit të pandalshëm të Lëvizjes. Ata po i tuten debateve, po i tuten ballafaqimeve politike, e tuta e tyre po shndërrohet në panik. Por ndryshimi po vjen, drejtësia po vjen, e me fitoren e Lëvizjes krimi do të marrë goditjen më të madhe. Asgjë nuk e ndal fitoren me zemër!”, thuhet në njoftimin e VV-së.