Sulmi ndaj djalit të Rashiq, reagon edhe Kurti

 

Sulmi fizik ndaj djalit të ish-ministrit Nenad Rashiq ka nxitur reagimin e kandidatit për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Ai ka thënë se krim banditesk ndaj Nikolla Rashiqit është i organizuar dhe ka të bëjë me prindin e tij që nuk u thye e as s’u nënshtrua ndaj trysnisë e kërcënimeve të Serbisë.

Kurti ka kërkuar nga organet e rendit që urgjentisht ta zbardhin rastin dhe autorët të përgjigjen para drejtësisë.

“Me keqardhje të madhe morëm lajmin se sot në Graçanicë, djaloshi 18 vjeçar, Nikolla Rashiq, u rrah brutalisht me armë të ftohta. Nikolla është i biri i Nenad Rashiqit, politikanit demokrat e të mirënjohur serb në Kosovë. Duket se ky krim banditesk ndaj Nikolla Rashiqit është i organizuar dhe ka të bëjë me prindin e tij që nuk u thye e as s’u nënshtrua ndaj trysnisë e kërcënimeve të Serbisë. Me gjasë, meqë nuk e frikësuan dot Nenad Rashiqin, ia rrahën të birin Nikollën. Në qeverinë tonë të re do të punojmë që të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim përkatësie kombëtare të jetojnë të sigurt. Kërkoj që organet e rendit urgjentisht ta zbardhin këtë rast dhe kriminelët të përgjigjen para drejtësisë, ndërkaq Nikollës i uroj shërim të plotë e të shpejtë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Para Kurtit, ambasadori britanik në Kosovës, Nicholas Abbott, e ka dënuar ashpër sulmin ndaj djalit të ish-ministrit.

Kujtojmë se Policia e Kosovës ka arrestuar sot 8 persona të përshirë në këtë rast./21Media

Back to top button