Sulmi nga Serbia, NATO: Angazhimi ynë për stabilitetin rajonal i palëkundur

Në kohën kur Kosovës duket se iu kanos një rrezik për sulm nga Serbia, NATO-ja ka riktheksuar anagazhimin e saj për stabilitet rajonal nëpërmjet trupave të saj në Kosovë dhe rajon.
Një zyrtar i NATO-s i tha për RTV21 se angazhimi i aleancës për stabilitet të qëndrueshëm mbetët i palëkundur, por nuk dha ndonjë përgjigje sa i përket deklaratave të presidentit Trump e që u konfirmuan nga presidentja Osmani se u parandalua një sulm nga Serbia.
“Ballkani Perëndimor mbetet një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën. Angazhimi ynë për stabilitetin rajonal është i palëkundur, siç u përsërit nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për mediat, në margjinat e Samitit të NATO-s në Hagë. Për çështjen specifike që keni ngritur, drejtojuni institucioneve në Kosovë dhe autoriteteve amerikane për çdo koment të mëtejshëm, tha një zyrtarë i NATO-s për RTV21.
Gjatë qëndrimin në ShBA, presidentja Osmani dy here radhazi tha se presidenti amerikan Donald Trump, ka ndalur në javët e fundit një përshkallëzim nga Serbia. Ajo tha se ka informacione kredibile për rrezikun që iu kanos Kosovës dhe se i njëjti është ende aktiv. Deklaratat e presidentes Osmani u mohuan një ditë më parë nga presidenti serb, Vuciq i cili tha se “nuk kanë angazhuar asnjë ushtar, as një makineri dhe nuk na shkon mendja”.
Kohën e fundit presidenti amerikan, Donald Trump pothuajse në secilën paraqitje të tij publike ka përmendur Kosovën dhe Serbinë duke thënë se në javët e fundit parandaloi një konflikt mes tyre./RTV21/21Media