Prokuroria në Mitrovicë: Të dyshuarit që sulmuan të rinjtë në veri ende s’janë identifikuar

(Lajm i përditësuar)
Prokuroria Themelore në Mitrovicë për portalin rtv21.tv ka thënë se të dyshuarit që sulmuan katër të rinjë kosovarë në sheshin “Car Llazar”, në veri të Mitrovicës ende nuk janë identifikuar.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore, Valon Preteni për portalin rtv21.tv ka njoftuar se rasti është duke u hetuar.
“Lidhur me rastin nga policia është njoftuar Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë z. Ismet Ujkani, i cili ka udhëzuar policinë që rasti të hetohet, dhe të ndërmerren të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e këtij rasti, rasti është duke u hetuar nga policia në koordinim me PTH në Mitrovicë. Në këtë rast dyshohet se të dëmtuarit, njëri ka pësuar lëndime të rënda trupore (thyerje e ashtit të hundës), kurse tjetri ka pësuar lëndime të lehta trupore. Të dyshuarit që kanë sulmuar dhe u kanë shkaktuar lëndime të dëmtuarve ende nuk janë identifikuar”, ka thënë për rtv21.tv Preteni.
Portali rtv21.tv merr vesh se viktimat janë nga Kamenica, të cilët kishin shkuar për vizitë në veri të Mitrovicës.
12:21 – Gjendja shëndetësore e personave që u sulmuan në veri
Dy nga të rinjtë e sulmuan kanë marrë trajtim në Spitalin e Përgjithshëm në jug.
Nga Spitali i Përgjithshëm në jug, doktoresha, Luljeta Buçinca-Zhubi për portalin rtv21.tv ka treguar se viktmat janë jashtë rrezikut për jetë.
“Personat e raportuar dje si te rrahur, 2 prej tyre kanë kërkuar ndihmë mjeksore dhe pas asaj pasi që nuk kanë pasur rrezik jetë janë kthyer në vendin e tyre për të vazhduar trajtimi”, ka thënë Buçinca-Zhubi.
21:01- Policia jep detaje për katër të rinjtë që u sulmuan në veri
Katër të rinj kosovarë janë sulmuar fizikisht nga persona të panjohur të hënën në sheshin “Car Llazar” në veri të Mitrovicës.
Viktimat që u sulmuan ishin në shëtitore dhe sipas Policisë janë të moshës së re.
Portali rtv21.tv ka kontaktuar me zëvendësdrejtorin e policisë për rajonin e Mitrovicës veriore, Besim Hoti.
Ai ka thënë se për shkak të plagëve të marra, dy nga katër personat e sulmuar kërkuan ndihmë mjekësore në pjesën jugore të qytetit.
Hoti për portalin rtv21.tv ka konfirmuar se njëri prej tyre ka pësuar frakturë në hundë, ndërsa tjetri ka pësuar lëndim në këmbë.
11:14 – Sulmohen 4 rinj në veri të Mitrovicës 
Katër kosovarë janë sulmuar fizikisht nga persona të panjohur në sheshin “Car Llazar” në veri të Mitrovicës
Sipas Policisë së Kosovës, dy viktima kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa nuk dihet për sulmuesit.
“Katër viktimat meshkuj kosovar kanë raportuar se janë sulmuar fizikisht nga persona të panjohur. Dy nga viktimat kanë pranuar tretman mjekësor. Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente policore”, thuhet në raportin e Policisë./21Media

Back to top button