Sulmohet Arsovska! Reagojnë BDI dhe Komuna e Çairit, Policia ndalon dy persona

Teksa po kryente mbikëqyrje në territorin e komunës së Çairit, është sulmuar fizikisht kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.
Si pasojë e lëndimeve, ajo dhe bashkëshoqëruesi i saj kanë përfunduar në Spital.
“Ai më sulmoi fizikisht duke më rrahur, duke më shkundur, duke më shkelmuar, duke më bërë kërcënime nga më të ligat, për përdhunim, për mua, për familjen time para syve dhe veshëve të policisë. Në vend që ta ndalonin, e lejuan të ofendonte për gjysmë ore, u mblodhën dhjetëra njerëz, pështynë. Ata sulmuan gjithashtu këshilltarin dhe Sekretarin e Qytetit”, tha Arsovska në dalje nga Spitali.
Për rastin Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se janë ndaluar 2 persona, ndërkaq kanë reaguar edhe nga BDI dhe Komuna e Çairit.
“Aktet e dhunës, sulmet verbale dhe përpjekjet për të penguar zyrtarët institucionalë në kryerjen e obligimeve të tyre përbëjnë sulm të drejtpërdrejtë ndaj rendit demokratik dhe funksionimit të shtetit ligjor. Pavarësisht përkatësisë politike apo pozitës institucionale, asnjë zyrtar nuk duhet të jetë objekt i linçimit publik apo agresionit fizik dhe verbal”, thonë nga BDI.
“Duke vlerësuar rëndësinë e informimit të drejtë të opinionit publik, theksojmë se ngjarja në fjalë nuk ka asnjë lidhje me institucionin tonë. Asnjë i punësuar apo funksionar i Komunës së Çairit nuk ka qenë i përfshirë dhe as i pranishëm në vendin ku ndodhi incidenti”, thonë mes tjerash nga Komuna e Çairit.