Sulmohet me thikë shkrimtari Rushdie, arrestohet i dyshuari

1 min read

(Getty Images)

Shkrimtari Salman Rushdie, i cili prej vitesh është kërcënuar me vdekje pasi ka shkruar librin “The Satanic Verses”, u sulmua sot me thikë në skenë në shtetin e New Yorkut.

Fituesi i çmimit Booker, 75 vjeç, po fliste në një ngjarje në Institutin Chautauqua kur u sulmua.

Policia e Shtetit të New Yorkut tha se një i dyshuar mashkull doli në skenë dhe sulmoi Rushdie dhe një intervistues. “Rushdie ka pësuar një plagë të dukshme me thikë në qafë”, u bë e ditur në deklaratën e Policisë.

Autori u transportua me helikopter në një spital lokal. Aktualisht nuk dihet gjendja e tij.

Intervistuesi, Henry Reese, gjithashtu pësoi një dëmtim të lehtë në kokë. Reese është bashkëthemelues i një organizatë jofitimprurëse që ofron strehë për shkrimtarët e mërguar nën kërcënimin e persekutimit, shkruan BBC, përcjell rtv21.tv

I dyshuari u dërguar menjëherë në mbajtje, informoi policia.

Libri “The Satanic Verses” e ka detyruar autorin të fshihej për nëntë vjet.

Romani surrealist, post-modern ka ngjallur zemërim te disa muslimanë, të cilët e kanë konsideruar përmbajtjen e tij si blasfemi, dhe është ndaluar në disa vende. Një vit pas botimit të librit, Udhëheqësi i Iranit, Ayatollah Khomeini kishte bërë thirrje për ekzekutimin e Rushdie dhe kishte ofruar shpërblim prej 3 milionë dollarësh./21Media