​Superliga/Ballkani kërkon të rikthehet në kreun e tabelës

Xhiro e 30-të në Superligën e Kosovës do të kompletohet me tri ndeshjet e ditës së sotme (e diele).

Kampioni në fuqi, Ballkani e pret Trepçën ‘89 në Suharekë ndaj së cilës kërkon fitore për t’u rikthyer në vendin e parë në tabelë pas fitores së Dritës ndaj Prishtinës të shtunën.

Skuadra e trajnerit Ilir Daja ka 58 pikë në vendin e dytë, dy më pak se skuadra gjilanase, duke e vazhduar kështu luftën e ashpër për titullin kampion.

Ballafaqim tejet interesant do të jetë edhe ai që do të zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë ndërmjet Llapit dhe Dukagjinit. Këto dy skuadra po luftojnë kokë më kokë për një vend në garat evropiane sezonin e ardhshëm dhe kanë nga 39 pikë në pozitat pesë dhe gjashtë.

Punë më të lehtë sot pritet të ketë Gjilani. Finalisti i Kupës së Kosovës e pret në shtëpi skuadrën e fundit në renditjen tabelare, Drenicën.

Të tri ndeshjet nisin nga ora 15:00.

Back to top button