Supremja për lajmërimin e pensionistëve: Zbatimi i vendimit, përgjegjësi e institucioneve

Gjykata Supreme e Kosovës ka sqaruar se lidhur me aktgjykimin P.A.nr.16/2025, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme brenda kompetencave të saj kushtetuese dhe ligjore.
Me këtë aktgjykim, Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar nenin 4 paragraf 2, si dhe nenin 5 paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të Udhëzimit Administrativ nr. 05/2015 të MPMS-së, të cilat rregullonin procedurat e lajmërimit, suspendimit nga pagesa dhe kthimit të mjeteve në rastet e keqpërdorimit të pensioneve.
Gjykata njofton se pas nxjerrjes së aktgjykimit, vendimi u është dorëzuar palëve në procedurë dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, duke marrë efekt të plotë juridik. Aktgjykimi është publikuar gjithashtu edhe në ueb-faqen zyrtare të Gjykatës Supreme.
Në sqarimin e saj, Gjykata Supreme thekson se ka përmbushur plotësisht përgjegjësinë që i takon, ndërsa zbatimi i aktgjykimit është përgjegjësi e institucioneve ekzekutive dhe jo e gjykatave. Sipas Gjykatës, ajo nuk ka kompetencë ligjore për të monitoruar apo mbikëqyrur zbatimin e vendimeve gjyqësore nga institucionet e tjera.
Gjykata rikujton se vendimet gjyqësore janë të detyrueshme për zbatim dhe se çdo mosrespektim i tyre përbën shkelje të parimit të sundimit të ligjit.