Supremja rrëzon kërkesën e Shalës për mbrojtje të ligjshmërisë ndaj vendimit të Apelit

Gjykata Supreme e Dhomave të Specializuara të Kosovës(DhSK) në Hagë, ka rrëzuar kërkesën e Pjetër Shalës për mbrojtje të ligjshmërisë kundër vendimit të Apelit, i cili ia uli dënimin nga 18 në 13 vjet burgim.
Në vendimin e saj, të publikuar më 9 mars 2026, kryetarja e DhSK-së, Ekaterina Trendafilova- e cila ishte edhe kryesuese e Panelit në këtë rast në Supreme, ka rrëzuar të gjitha pretendimet e ngritura nga Shala, duke konstatuar se të drejtat e tij për një gjykim të drejtë nuk janë shkelur, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në kërkesën e Shalës, kërkohej rrëzimi i vendimit mbi dënimin për krime lufte të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes, si dhe që çështja të kthehet në rigjykim.
Si alternativë, Shala kërkoi që të korrigjohen shkeljet e pretenduara procedurale në marrjen dhe pranimin e provave si dhe në përcaktimin e dënimit ndaj tij.
Në ankesën e vet në Supreme që e kishte dorëzuar më 14 tetor 2025, Shala kishte parashtruar se gjykimi ndaj tij filloi 24 vjet pas ngjarjeve të përshkruara në aktakuzë dhe kjo kohë e kaluar kaq shumë, prek në thelb përcaktimin e saktë të përgjegjësisë penale si dhe cenon integritetin gjyqësor.
Aty thuhej që dëshmitarët që mund të kishin dhënë dëshmi shfajësuese kanë vdekur prej kohësh ose ata që janë gjallë janë subjekt i dobësimit të pashmangshëm të kujtesës e cila është proces që ndodhë me kalimin e kohës. Dhoma e pretenduar e ndalimit, sipas mbrojtjes, është shembur dhe askush s’mund të deklarojë me siguri se çfarë ndodhi brenda atyre mureve apo se çfarë mund të shihej nga dritaret e saj.
Rrjedhimisht, mbrojtja thotë se nuk ishte në gjendje që të merrte në pyetje individë që supozohet se kanë qenë të pranishëm ose të siguronte materiale që mund të kundërshtonin versionin e Prokurorisë.
Sipas mbrojtjes, asnjë udhëzim gjyqësor, vendim provash ose garanci procedurale nuk mund të korrigjojë plotësisht dëmin e shkaktuar nga humbja e kujtesës, humbja e provave materiale dhe humbja e dëshmitarëve kyç.
Mbrojtja përmend edhe humbjen e dëshmitarëve potencialë duke përfshirë edhe Ruzhdi Saramatin- një figurë kyçe në Kukës në vitin 1999 — kujtesa e të cilit, për shkak të kalimit të kohës, sipas mbrojtjes, ka humbur përfundimisht.
Baza e dytë e kërkesës së Shalës ishte kundërshtimi për pranimin dhe mbështetjen në deklarata inkriminuese që vetë ai i kishe dhënë më herët konkretisht në vitet 2005, 2007, 2016 dhe 2019.
Pra, sipas mbrojtjes, Shala u mor në pyetje si i dyshuar dhe pa konsultimin ose praninë e një avokati.
“Deklaratat vetë-inkriminuese u dhanë gjatë intervistave me Prokurorinë e TPNJ-së në 2005 dhe 2007, para Policisë Federale të Belgjikës në 2016, dhe para Policisë Federale të Belgjikës dhe ZPS-së më 2019”, thuhet në dokument.
Sipas mbrojtjes, pranimi i këtyre dëshmive dhe mbështetja në ato, ka shkelur të drejtat e Shalës për një gjykim të drejtë.
Mbrojtja thotë se edhe vetë Apeli pranoi se e drejta e Shalës për ndihmë juriidke ishte shkelur gjatë intervistës së vitit 2016 në Belgjikë, por kishte lejuar që këto deklarata të mbeteshin në dispozicion për shqyrtim.
“Mungesa e referencave të drejtpërdrejta ndaj tyre në arsyetimin e gjetjeve inkriminuese nuk do të thotë se deklaratat nuk patën ndikim në vlerësimin ose procesin e vendimmarrjes. Të sugjerosh të kundërtën do të ishte injorim i pasojave ligjore dhe praktike të pranimit të tyre në prova dhe deklarimit të qartë se ato ishin të disponueshme për t’u marrë në konsideratë”, thuhet në dokument.
Mbrojtja thotë se pranimi dhe marrja në konsideratë dhe/ose mbështetja në deklaratat vetë-inkriminuese të marra në mënyrë të paligjshme përbën një shkelje flagrante të së drejtës së Shalës për gjykim të drejtë.
Sipas mbrojtjes, mjeti i vetëm i përshtatshëm juridik është anulimi i dënimeve dhe urdhërimi i rigjykimit, në të cilin të gjitha deklaratat vetë-inkriminuese të marra në shkelje të të drejtave të Shalës të përjashtohen.
Mbrojtja thotë se edhe dënimi për ndalim arbitrar në një konflikt të armatosur jondërkombëtar është jo i drejtë, pasi sipas tyre neni 14 i Ligjit për DHSK-në përmban një listë se çka është krim luftës në një konflikt jondërkombëtar, por nuk e përfshinë ndalimin arbitrar. Sipas mbrojtjes, u bë gabim ligjor duke e dënuar Shalën mbi bazën e një akuze të mangët e cila nuk ofronte të dhëna të mjaftueshme as për viktimat e pretenduara në këtë çështje. Ky gabim i trupit gjykues ishte pranuar edhe nga Apeli.