Suspendohen tre zyrtarë policorë, dyshohen për pjesëmarrje në tubim politik
Policia e Kosovës ka suspenduar tre zyrtarë policorë, një kolonel, një major e një rreshter policor pasi dyshohet se kanë marrë pjesë në tubim të natyrës politike.
Përmes një postimi në Facebook policia të mërkurën njoftoi se rekomandimi është bërë nga Inspektorati Policor i Kosovës, duke shtuar se zyrtarët kanë rënë në kundërshtim me procedurat ligjore dhe me udhëzimet e brendshme të këtij institucioni.
“Policia e Kosovës (PK), bazuar në Ligjin e Policisë së Kosovës i cili përcakton konfliktin e interesave, udhëzimin administrativ për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës si dhe rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës, ka suspenduar dy zyrtarë policorë, përderisa IPK-ja ka suspenduar një zyrtar policor, (të suspenduar janë një kolonel, një major dhe një rreshter policor)”, thuhet në njoftimin e Policisë në Facebook.
“Suspendimi i zyrtarëve policorë është bërë mbi dyshimin për pjesëmarrje në tubim apo aktivitet të natyrës politike, të cilat bien në kundërshtim me procedurat ligjore si dhe udhëzimet e brendshme të PK-së.
Policia e Kosovës, si institucion i zbatimit të ligjit, mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore e kushtetuese, si institucioni kyç për garantimin e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim.”, thuhet tutje në njoftim.