Suspendohet kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) sot ka informuar se ka vendosur për suspendimin e Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Ljiljana Stevanović nga pozita e saj si kryetare.
Sipas KGJK-së, ky vendim është marrë sipas kërkesës së Autoritetit Kompetent për Kryetar të Gjykatave, në përputhje me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Ligjin për Gjykatat, Ligjin për KGJK, Kodin e Etikës dhe Rregulloren për Procedurën Disiplinore të Gjyqtarëve.
Me këtë rast, KGJK ka theksuar se vendimi për suspendimin e Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, është marrë në kuadër të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore që ka KGJK-ja, dhe nuk paragjykon përfundimin e procedurës në raport me gjyqtaren, znj.Stevanović.
“Vendimi në fjalë është marrë pa asnjë ndikim politik, prandaj me këtë rast, KGJK u bënë thirrje institucioneve dhe zyrtarëve publik të institucioneve tjera të përmbahen nga deklaratat për  vendimet e KGJK-së, pasi çfarëdo deklarimi publik nuk i kontribuon pavarësisë së gjyqësorit, si pushtet i pavarur.”, ka bërë të ditur KGJK./21Media

Back to top button