Suspendohet profesori i UP-së, Bekim Bejta

Senati i Universitetit të Prishtinës ka vendosur të mërkurën që ta suspendojë profesorin Bekim Bejta nga procesi mësimor dhe gjitha aktivitetet akademike në UP.

Sipas njoftimit të Këshillit Studentor të Fakultetit të Filologjisë, Bejta është suspenduar lidhur me shkeljet e vazhdueshme disiplinore të denoncuara nga studentët.

“Profesori i Fakultetit të Filologjisë, Bekim Bejta, është përjashtuar nga procesi mësimor dhe nga të gjitha aktivitetet akademike në Universitetin e Prishtinës. Pas reagimit të Këshillit Studentor në Fakultetin e Filologjisë, lidhur me shkeljet e vazhdueshme disiplinore të denoncuara nga studentet, Senati largon përkohësisht nga puna profesorin Bekim Bejta ku sipas fakteve dhe denoncimeve ai pritet te perjashtohet perfundimishte se shpejti.
Menaxhmenti i Fakultetit të Filologjisë dhe Këshilli i Profesorëve, që kanë qenë indiferent ndaj shqetësimeve për gjuhen kërcënuese e deri në kanosje fizike te profesorit Bejta ndaj studenteve dhe personelit, tani kanë rastin e fundit për reflektim. Për këtë do të përkujdesen përfaqësuesit e studentëve në krye me Këshillin Studentor, si garanca më e madhe dhe korrekte. Universiteti nuk është institucion për rehabilitim dhe integrim, e as arenë e sporteve luftarake!”, thuhet në njoftimin e Këshillit Studentor të Fakultetit të Filologjisë.

Lëvizja Feministe Studentore kishte paralajmëruar protestë për sot pranë Fakultetit të Filologjisë për përjashtimin e profesorit Bekim Bejta, i akuzuar për dhunë dhe shantazh ndaj studentëve të Universitetit të Prishtinës./21Media

Back to top button