Sveçla dhe Sarrazin diskutojnë për kontrollin e mallrave që hyjnë nga Serbia

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla ditën e sotme ka pritur në takim përfaqësuesin e Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Ai përmes një postimi në Facebook bëri të ditur se në këtë takim është diskutuar për masën e kontrolleve manuale të sigurisë për mallrat që hynë nga shteti fqinj Serbia, deri në funksionalizimin e sistemeve të skanerëve “X”.

“Kisha kënaqësinë të pres sot në Ministrinë e Punëve të Brendshme Përfaqësuesin e Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Diskutuam për ecurinë e takimit të fundit të Procesit të Berlinit dhe rikonfirmova përkushtimin tonë si palë aktive për angazhim të mëtejmë në kuadër të këtij procesi. Biseduam po ashtu për masën e kontrolleve manuale të sigurisë për mallrat që hyjnë nga Serbia në pikën kufitare në Merdarë. Zyrtarët tanë shtetëror po e zbatojnë këtë vendim me përkushtim me qëllim të garantimit të sigurisë së vendit tonë deri në funksionalizimin e sistemeve të skanerëve “X” që do të lehtësojnë edhe punën e tyre edhe pritjet në pika kufitare. Falënderova z. Sarrazin për angazhimin e tij të vazhdueshëm në avancimin e bashkëpunimit rajonal”, ka shkruar Sveçla. /21Media

Back to top button