Sveçla: Kosova s’ka qasje agresore e me aspirata pushtuese si Serbia

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se deklarimet se Kosova ka ngritur gjendje gatishmërie janë pjesë e propagandës së dyshes Serbi-Rusi.
Sveçla ka shkruar në “Facebook” se Kosova nuk është e interesuar për luftë dhe se është Serbia ajo e cila po ngrit gjendje gatishmërie ushtarake.
“Deklarimet se Republika e Kosovës ka ngritur gjendje gatishmërie janë tërësisht të pavërteta dhe janë pjesë e propagandës së dyshes Serbi- Rusi. Është pikërisht Serbia e ndikuar nga Rusia ajo që ka ngritur gjendje gatishmërie ushtarake, po urdhëron ngritjen e barrikadave të reja, për të arsyetuar dhe mbrojtur grupet kriminale që terrorizojnë në veçanti qytetarët e etnisë serbe që jetojnë në Kosovë. Nuk jemi të interesuar për luftë por angazhohemi për luftim të krimit dhe terrorizmit brenda shtetit tonë. Kjo i pengon Serbisë sepse ndër vite ka mirëmbajtur në të gjitha format grupet kriminale në veri të vendit”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka shtuar se institucionet e Kosovës duan që çështja e barrikadave të zgjidhet pa asnjë eskalim.
“Institucionet e Republikës së Kosovës janë në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtar që kjo çështje të zgjidhet pa asnjë eskalim të mundshëm. Ky fakt dukshëm po i pengon Serbisë e cila po angazhohet maksimalisht që barrikadat të prodhojnë qoftë edhe viktima në njerëz dhe kjo dëshmohet nga sulmet e njëpasnjëshme të armatosura ndaj zyrtarëve policor, pjesëtarëve të EULEX e së fundmi edhe ndaj KFOR-it. Me barrikadat si mjet, Serbia po lufton sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit fqinj, Kosovës, ndërkaq ne jemi të interesuar të luftojmë krimin dhe bandat kriminale, brenda shtetit tonë, të kujtdo qofshin ato”, ka shtuar Sveçla.
Më 27 dhjetor në veri të Kosovës u ngritën edhe dy barrikada të reja. Disa serbë lokalë kanë nisur ngritjen e barrikadave qysh më 10 dhjetor, pas arrestimit të një ish-polici serb të Kosovës.
Autoritetet në Kosovë kanë thënë se Dejan Pantiq dyshohet se ka organizuar sulmin e 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Back to top button