Sveçla: Në dosjen zyrtare Krivaqa figuron se është i akuzuar për 135 vepra penale

Ministrit i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se pushtetet në Kosovë janë të ndara, por krimi duhet ta luftojmë së bashku, pasi që siç ka thënë Sveçla kështu e kërkon ligji.
Ai tutje ka shtuar se mijëra lëndë të pazgjidhura qëndrojnë me vite të tëra nëpër prokurori e gjykata si rezultat i dështimit të sistemit të drejtësisë për t’i trajtuar ato dhe për të vendosur drejtësinë për qindra e mijëra qytetarë anë e mbanë Kosovës.
Në një postim në Facebook, Sveçla ka përmendur Dardan Krivaqen i cili privoi nga jeta M.O të dielën.
“Praktika e fshehjes prapa veprave kriminale, e parashkrimi me qëllim i lëndëve kriminale ‘për miqtë’ dhe ‘të fortët’, si dhe hedhja e fajit tek tjetri duhet të marrë fund.
Në dosjen zyrtare të Policisë së Kosovës, krimineli Dardan Krivaqa figuron se është i akuzuar për 135 vepra penale, ku përveç vrasjes makabre, ai akuzohej edhe për shumë vepra të tjera përfshi përdhunim, zhvatje, mashtrim, kanosje, grabitje, sulm fizik, vjedhje, therrje me thikë të zyrtarit policor…lista është e gjatë, dhe nëse për këtë nuk dinë prokurorët dhe gjykatësit, atëherë çfarë dinë ata? Apo, ata dinë që këtë kriminel recidivist ta akuzojnë dhe shpërblejnë me dënim me kusht – punë në dobi të komunitetit”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Kurse sot gjatë ditës, Gjykata Themelore në Ferizaj, ka njoftuar se ndaj të pandehuri Dardan Krivaqa, i dyshuar kryesor për vrasjen e 18 vjeçares, sipas regjistrit elektronik të lëndëve ka të evidentuara gjithsej dhjetë lëndë, prej tyre 9 të përfunduara, ndërsa vetëm 1 është e papërfunduar, jo 136 sa u raportua. /21Media

Back to top button