Sveçla: Nuk jam sulmuar asnjëherë në Ujman

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla përmes një postimi në Facebook ka mohuar të jetë sulmuar ndonjëherë në Liqenin e Ujmanit.
Këtë deklarim Sveçla e ka bërë pas një deklarate të ish-inspektorit të AKI-së, Burim Ramadani, i cili tha se në fillim të korrikut ministri i Brendshëm është gjuajtur me armë gjatë qëndrimit të tij në Ujman.
“Dje në një paraqitje televizive, ish kryeinspektori i AKI-së Burim Ramadani paska deklaruar diçka që aspak nuk është e vërtetë. Unë asnjëherë nuk jam sulmuar në Liqenin e Ujmanit, as me AK 47 e as me asnjë metodë apo mjet tjetër. E gjitha është fabrikim i tij, arsyet nuk i di. Unë kam qenë në Ujman me barkë të shtunën së bashku me Kryeshefin e Ibër Lepencit dhe shefin e NjNSh-së së kufirit, vizitë e cila jo vetëm se ka shkuar shumë mirë por ka qenë edhe shumë produktive”, ka shkruar Sveçla në Facebook./21Media