Sveçla: Numri nga i cili u bë kërcënimi me bombë është i lidhur me kriminelin, Ratko Mladiq

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla ka dhënë detaje nga rasti i kërcënimit me bombë i cili është adresuar dje ndaj Kuvendit të Kosovës.
Sfeçla bëri të ditur se shfrytëzuesi i numrit është shtetasi serb Lazar Živković dhe numri i përket kompanisë telefonike MTS, ku shtoi se në disa profile të lidhura me këtë numër është gjetur fotografia e kriminelit të luftës Ratko Mladić.
“Me datën 05.07.2025, një kërcënim për bombë është adresuar ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Institucionet relevante të sigurisë e kanë trajtuar me prioritet të lartë këtë sulm hibrid ndaj institucioneve të Kosovës, i cili është konfirmuar se ka origjinën në Serbi. Numri i telefonit nga i cili është bërë kërcënimi është i regjistruar në Serbi dhe i përket kompanisë telefonike MTS. Shfrytëzuesi i numrit ka qenë ose është shtetasi serb Lazar Živković. Në disa profile të lidhura me këtë numër është gjetur fotografia e kriminelit të luftës Ratko Mladić”, thuhet në njoftim.
Sfeçla ndër të tjera tha se Institucionet e Kosovës janë duke trajtuar rastin me prioritet të lartë dhe do të kërkojnë mbështetje ndërkombëtare për arrestimin dhe vënien para përgjegjësisë të personave që qëndrojnë pas kërcënimit.
“Institucionet e Kosovës janë duke trajtuar rastin me prioritet të lartë dhe do të kërkojnë mbështetje ndërkombëtare për arrestimin dhe vënien para përgjegjësisë të personave që qëndrojnë pas kërcënimit, sa më shpejt që të jetë e mundur. Sulmuesit dhe kërcënuesit që strehohen në Serbi, pavarësisht mbështetjes nga shteti serb, nuk do të arrijnë t’i shmangen përgjegjësisë”, thuhet tutje në njoftim. /21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?