Sveçla para gjykatës: Nuk kam nevojë për avokat

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, dhe deputetët nga radhët e LVV-së, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli, sot u paraqitën para gjykatës për t’u përballur me akuzat për gazin lotsjellës që akuzohen se e hodhën në Kuvendin e Kosovës më 21 mars të vitit 2018.

Asnjëri nga të akuzuarit e pranishëm nuk “konsideroi” se ka nevojë për avokat mbrojtës në këtë rast.

“Nuk kam nevojë për avokat”, u shpreh ministri Sveçla para gjykatës.

Kështu u shprehën edhe dy të akuzuarit tjerë, deputetja Fitore Pacolli dhe deputeti Salih Zyba.

Gjyqtari Sabit Sadikaj i njoftoi se do të angazhohen avokatë “ex officio” nga Oda e Avokatëve të Kosovës.

Aktakuza ndaj tyre është ngritur në korrik të vitit 2019, dhe gjykimi ndaj tyre dështoi disa radhazi për shkak të mungesës kësaj radhe të deputetes Drita Millaku.Gjyqtari Sadikaj tha se Millaku ka ofruar një shkresë e cila tregon se e njëjta mungon për arsye shëndetësore./kallxo

Back to top button