Sveçla për vdekjen e të riut në Lipjan: Fajtorët do të marrin dënimin e merituar, askush nuk është mbi ligjin
Ministri në detyrë i punëve të brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar lidhur me rastin e vdekjes së 27-vjeçarit në Lipjan, rast ky që janë suspenduar mbrëmë pesë zyrtarë policiorë.
Sveçla, ka thënë se kushdo që rezulton fajtor për vdekjen e të riut Agon Zejnullahu në Lipjan, do të marrë dënimin e merituar.
Një ditë pas rastit përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Sfeçla ka thënë se se hetimet për këtë rast janë duke u zhvilluar me intersitet maksimal, teksa shtoi se ka kërkuar në këtë rast angazhim urgjent dhe profesional nga IP dhe bashkëpunim të plotë të Policisë së Kosovës gjatë këtij hetimi.
“Jam thellësisht i prekur nga lajmi për vdekjen e qytetarit tonë para mëngjesit të djeshëm në Lipjan. Si Ministër i Punëve të Brendshme, sapo jam informuar për ngjarjen, kam kërkuar angazhim urgjent dhe profesional nga Inspektorati Policor i Kosovës si dhe bashkëpunim të plotë të Policisë së Kosovës gjatë këtij hetimi. Në kuadër të kësaj, hetimet tashmë janë duke u zhvilluar me intensitet maksimal. Bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës, Inspektoratit Policor, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë është kyç për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë. Familjarëve të të ndjerit u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Pres që sa më shpejt, të zbardhet e vërteta dhe të gjitha rrethanat si dhe familjarët dhe opinioni publik të njoftohen me të gjitha të gjeturat dhe epilogun e këtij rasti. Askush nuk është mbi ligjin, dhe kushdo që rezulton fajtor do të përballet me drejtësinë dhe do të marrë dënimin e merituar. Policia e Kosovës, falë profesionalizmit, transparencës dhe përkushtimit në shërbim të qytetarëve, vazhdon të jetë institucioni më i besuar dhe më kredibil në vend. Ky besim duhet ruajtur me çdo kusht dhe pa kursyer askënd pasi besimi qytetarë është jo vetëm vlerë por domosdoshmëri për punën e suksesshme të Policisë së Kosovës. Atë do ta ruajmë me vendosmëri përmes drejtësisë dhe përgjegjësisë për secilin rast”, ka shkruar ai.
Në fund Sveçla ka thënë se Policia është institucioni më i besuar dhe më kredibil në Kosovë, tek ka shtuar se besimin duhet ruajtur me çdo kusht. /21Media